Borxhet, mban peng dhe qëllon me pistoletë forcat e rendit
LIBRAZHD – Në gjendje depresive të shkaktuar nga borxhet e shumta, një 45 vjeçar nga qyteti i Librazhdit ka kërcënuar me armë zjarri forcat e policisë për më shumë se dy orë, por më në fund është çarmatosur dhe më pas i janë vënë prangat. Burimet zyrtare të policisë së Librazhdit bëjnë të ditur se rreth orës 02.00 të ditës së djeshme është arrestuar shtetasi Agim Elezi, pasi për afro dy orë, me pistoletë në dorë, në gjendje të rëndë psikologjike, ka mbajtur në tension policinë, si dhe disa persona të cilët ndodheshin në atë moment në rrugë. Gjatë momentit që efektivat e grupit të gatshëm po negocionin për çarmatosjen e tij, 45-vjeçari Elezi ka qëlluar në drejtim të policit C. Çupi. Fatmirësisht nga ky incident nuk pati asnjë të lënduar. Pasi është arrestuar, Elezi ka treguar se gjithçka e ka kryer në kushte depresive. Sipas burimeve të policisë, mendohet se Elezi kishte shumë borxhe në qytetin e Librazhdit dhe ky ka qenë edhe shkaku që mund të ketë kaluar në depresion. Aktualisht ai ndodhet në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Elbasanit, ndërsa po punohet për të zbardhur plotësisht rrethanat që e çuan 45-vjeçarin të kryente këtë akt.
19 Qershor 2008