E Hënë, 2 Nëntor 2026

Si duhet lexuar raporti i Bankës Botërore

07/03/2005  Ndodhi dhe çudia! Bankës Botërore ju desh të thërriste dy nga ekonomistët më të mirë të botës, Robert Solow i MIT-it në Boston, fitues i çmimit Nobël në ekonomi në vitin 1987, dhe Robert Barro të Universtitetit të Harvardit, që të konfirmontë atë që shumë e ndjenë po nuk donin ta besonin se reformat ekonomike në Shqiperi pas vitit 1996 kanë ardhur duke u dobësuar, duke bërë që ekonomia Shqiptare pas vitit 1998 të vazhdonte ritmin e rritjes ekonomike vetëm si rezultat i inercisë së reformave të thella strukturore dhe stabilizimit makroekonomik të ndërmarrë nga viti 1992 deri në vitin 1996. Themi ndodhi çudia se është pothuajse mjaft e rallë që Banka Botërore të mobilizojë njekohësisht dy ekonomistë nga më të shquarit në botë, si Saloë (që njihet ndryshe si “Babai” i teorisë së rritjes ekonomike) dhe Barro (që njihet si një nga kontribuesit më të shquar të teorisë makroekonomike pas viteve 70’) në ndërtimin e një raporti për një vend si Shqipëria. Kjo tregon se problematika që paraqet në vetëvete Shqipëria meritonte një vëmëndje të vecantë, që grupit të eksperteve të Bankës Botërore t’i atashoheshin si këshilltarë të grupit këta dy ekonomistë të mëdhenj. Në këtë rast ky raport, pavarësisht ndonjë pasaktësie të vogël në disa shifra statistikore, bëhet i pakontestueshëm qoftë nga pikëpamja e analizave ashtu edhe për sa i perket përfundimeve dhe rekomandimeve të saj. Si i tillë ai do t’i shërbejë jo vetëm si një platformë mjaft e mirë për programin e qeverisjes së ardhshme, por njëkohësisht për shumë vite ai do të shërbejë si një guidë mjaft e mirë analizë për të gjithë studjuesit dhe analistët e ndryshëm veçanërisht për ata ekonomistë.

Por le të kthtehemi këtij raporti. Në të theksohet shprehimisht se, “ekzistojnë shqetësime në lidhje me mundësinë e ruajtjes së niveleve të larta të rritjes ekonomike në të ardhmen”, të cilat kushtëzohen nga faktorët e mëposhtëm:

1. Ekzistenca e kufizimeve makroekonomike që pëngojnë një rritje të qëndrueshme.

Ky faktor artikulohet për herë të parë në një raport të institucioneve ndërkombëtare, pasi pothuajse në të gjitha rastet e mëparshme situata makroekonomike shikohej si mjaft e favorshme per rritjen makrokeonomike. Nga ky raport shikohet se makroekonomia nuk përkthehet vetëm me inflacion të ulet dhe deficit buxhetor në ulje, por edhe elemente të tjerë si, pozita e jashtme e ekonomisë shqiptare, ose deficiti i llogarive rrjedhëse, niveli mjaft i ulët i mbledhjes së të ardhurave fiskale, instabiliteti (në këtë rast rivlerësimi i lekut), menaxhimi i shpenzimeve publike, varfëria. Të gjithë këta faktorë të rëndësishëm makroekonomikë vlerësohen në terma shumë pesimiste dhe me rrezik për rritjen ekonomike.

2. Përkeqësimi i vazhdueshëm i qeverisjes për gjatë periudhes 1996-2002

Duhet shënuar në këtë rast se kjo performancë e keqe e qeverisjes ka vazhduar edhe pas këtij viti, nga raportet e tjera ndërkombëtare. Problemet e keqeverisjes janë të gjithanshme dhe prekin çdo aspekt të saj: (i) rënie efektiviteti; (ii) rënie e cilësisë së ligjeve dhe shtetit të së drjetës; (iii) mos kontroll i korrupsionit; (iv) rritje të ryshfeteve; (iv) rritje e kapjës së shtetit.

3. Pengesa strukturale dhe sektoriale që bllokojnë aftesinë konkurruese.

Goditjen më të rëndë ekonomia shqiptare po e pëson nga dy faktorë të rëndësishëm; nga migrimi i “trurit” dhe rënia e vazhdueshme e financimeve për arsimin, i cili nga viti në vit po shënon një ulje si në sasi edhe në cilësi. Në raport përmendet që mëgjithëse arsimi i detyruar është kthyer nga 8 në 9 vjeçar, përsëri ajo nuk prek problemin qe ka sot arsimi me mungesën e fondeve dhe cilësinë e dobët të kurukulave sidomos për shkollat e mesme.

Probleme të tjera që lidhen me faktorët strukturorë dhe sektorialë janë edhe problemet e furnizimit me energji elektrike, furnizimi me ujë dhe sistemi i transportit.

Të gjithë faktorët e lartpërmendur kanë bërë që ekonomia shqiptare të humbë vitalitetin dhe qëndrueshmërinë e 4-5 viteve të para të tranzicionit, të shenojë një rënie të vazhdueshme të ritmeve të rritjes së produktivitetit të punës, si dhe faktorëve që garantojnë ritmet e rritjes së qëndrueshme të ekonomisë shqiptare, si investimet, zvogëlimi relativ i remitancave dhe kreditimi mjaft i ulët. Të gjithë këta faktorë bëjnë që të rrezikohet mjaft rritja ekonomike prej 6 perqind me të cilën mendohet se ekonomia Shqiptare po ecën në dy vjetët e fundit.

Në raport përmendet që për të kapercyer këtë ngërç ekonomik që ka mbërthyer ekonominë shqiptare kërkohen të ndermerren reforma të gjithanshme për të siguruar kuadrin e nevojshëm makroekonomik, rritjen e cilësisë së kapitalit njerëzor, liberalizimin e mëtejshëm të ekonomise (që në vetvete nuk nënkupton privatizim me “aksion”), pëmirësimin e infrastrukturës publike, përmirësimin e qeverisjes dhe forcimin e institucioneve.

Përgjigja zyrtare e Qeverisë që e vlerëson pozitiv raportin dhe i njeh problemet, nën këndvështrimin e këtij raporti tepër analitik mund të perkthehej: po është vërtetë qe qeveria i njeh problemet (pasi ajo vetë ka dhënë një kontribut për të), por kjo situatë nuk mund të zgjidhet me programe të tipit “matricor”, por me një kurajo dhe vizion të ri politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›