Kolina drejton sfidën Çelsi-Barça
07/03/2005 UEFA ka vendosur që gjyqtari i mirënjohur italian Pierluixhi Kolina të jetë bilbili drejtues për takimin e kthimit në Ligën e Kampioneve midis Çelsit dhe Barcelonës. Kjo përplasje pritet të bëhet edhe më interesante pasi ndeshja e parë ka përfunduar në favor të katalanasve me rezultatin 2-1. Trajneri i Çelsit, Hoze Murinjo duket se ishte i vetmi që kishte parashikuar praninë e bilbilit të Kolinës, pasi në takimin e parë të zhvilluar në “Kamp Nou” ai ishte shprehur i pakënaqur lidhur me drejtimin e gjyqtarit suedez Anders Frisk. Prandaj trajneri portugez ka deklaruar se do të preferonte më shumë Kolinën si drejtuesin kryesor të takimit që do të zhvillohet në Londër. Ndërkaq eksperienca e Kolinës ka treguar gjithmonë për paraqitje të suksesshme. Ai ka marrë përsipër finalen e madhe të Botërorit 2002 (Gjermani-Brazil) si dhe finalen e Ligës së Kampioneve në vitin 1999 (Bajern Mynih-Mançester Junajtid). Ndërsa gjyqtari kryesor për supersfidën tjetër të rëndësishme të kësaj jave në Ligën e Kampioneve midis Milanit dhe Mançester Junajtid, do të jetë gjermani Herbert Fandell. “Ka diçka që më bën të mendoj se në Londër do të kemi si gjyqtar Kolinën, i cili për mua është më i miri në botë, ka thënë Murinjo. Një gjyqtar i përsosur si në cilësi edhe në personalitet”. Vendimi për zgjedhjen e Kolinës, erdhi vetëm pak ditë pasi ai bëri të ditur se do të tërhiqej nga profesioni i tij në periudhën e verës. Tashmë Kolina ka mbushur plot 45 vjeç dhe deri më tani ai është vlerësuar si gjyqtari më i mirë në botë. Sigurisht mosha e tij bën që ai të pranoj tërheqjen nga detyra konform edhe rregullores së FIFA-s e UEFA-s.