Infeksionet respiratore, si mund të mbrohemi
AIDA MALAJ
Ardhja e dimrit dhe ditët me lagështi, shtojnë rastet me infeksione virale të aparatit të frymëmarrjes.Për mjekët arsyeja qëndron në uljen e imunitetit dhe kushtet atmosferike, që krijojnë kushte të favorshme për zhvillimin e shkaktarëve. Në një intervistë për “Panorama”, mjeku pneumolog Ilir Peposhi shpjegon se nga shkaktohen dhe si mund të trajtohen këto infeksione:
Doktor, çfarë janë infeksionet virale të aparatit të frymëmarrjes?
Infeksionet virale të traktit respirator janë shkaku më i zakonshëm i sëmundjeve te njeriu, si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit. Këto infeksione mund të shfaqen si një variant i gjerë sëmundjeje nga rrufa e thjeshtë e deri te pneumonia e rëndë.
A janë ngjitëse?
Po, janë mjaft ngjitëse. Transmetimi i tyre bëhet nga personi i sëmurë tek një tjetër i shëndoshë, nëpërmjet spërklave të ajrit të kontaminuar me virus dhe periudha e shfaqjes është 1-5 ditë pas ekspozimit.
Kush riskon më tepër të preket nga këto infeksione?
Të gjithë janë të predispozuar dhe të riskuar të preken prej këtyre infeksioneve, dhe të gjitha grupmoshat. Por sigurisht pacientët me sëmundje kronike të mushkërive, sëmundje të rënda të zemrës, sëmundje të gjakut dhe të sëmurët me sëmundje të tjera kronike si dhe me imunodeficiencë kanë një risk për pneumoni të rëndë. Pra, trajta e shfaqjes së sëmundjes te këta persona është shumë më e rëndë se te personat e tjerë.
Cilat janë viruset që qarkullojnë më shumë në këtë periudhë?
Në këtë periudhë qarkullojnë disa lloj virusesh. Ndër më të shpeshtët janë virusi i parainfluencës, që është shkaktar i zakonshëm i pneumonisë virale në fëmijëri. Infeksionet variojnë nga të lehta deri në të rrezikshme për jetën, siç janë laringotrakeobronkiti (croupi) ose bronkioliti, ndërsa në pacientët me imunosupresion jep pneumoni me rrezik për jetën dhe insuficiencë respiratore. Viruse të tjerë janë virusi i influencës dhe ai respirator syncytial, të cilët shkaktojnë pneumoni.
Nga se shkaktohet pneumonia virale?
Shkaku kryesor i pneumonisë virale tek të rriturit janë virusi i influencës A dhe B, adenovruset, parainfluenca virus dhe virusi respirator sincytial. Këto viruse shkaktojnë 8% të pneumonive të fituara që kërkojnë shtrim në spital. Virusi i influencës shkakton më tepër se 50% të pneumonive virale, ndërsa 15% të këtyre pneumonive. Pacientët me imunodeficiencë pneumonitë virale shkaktohen nga citomegaloviruse, herpes simplex virus dhe adenoviruset.
Cilat janë shenjat klinike të këtyre infeksioneve virale?
Shenjat më të zakonshme janë rhinitis, (rrjedhje hundësh) dhimbje fyti, ethe, kollë e thatë, dhimbje gjoksi, dhimbje koke, dhimbje muskujsh e kyçesh dhe debulesë. Këto shenja zakonisht zgjasin 3-5 ditë. Kjo përsa i përket formës së lehtë të sëmundjes. Në pacientët e moshuar që kanë sëmundje të tjera, si p.sh. sëmundje kardiovaskulare ose pulmonare si SPOK etj., dhe në veçanti imunosupresion, këto infeksione shfaqen në formë shumë të rënda të pneumonisë me ethe, ulje të oksigjenit në gjak dhe bllokim frymëmarrjeje.