E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu bën surprizën, mund Dinamon në Bilisht

 

Kryesuesi i Kategorisë së Parë, Skënderbeu, dëshmoi formën e mirë që po kalon edhe me Dinamon. Korçarët fituan 1-0 ndaj bluve në ndeshjen e zhvilluar në Bilisht. Golin e vetëm të takimit e shënoi ish-mesfushori i Partizanit, Bledi Shkëmbi, i cili realizoi në minutën e 13-të. Tirana fitoi 4-1 në Lushnjë, me katër gola të realizuar në pjesën e dytë, duke përmbysur avantazhin e vendasve në fundin e pjesës së parë. Kapiteni i Lushnjës, Gentian Çela goditi nga pika e bardhë, portieri i Tiranës arriti të grushtojë topin, por sfera u rikthye sërish në këmbët e Çelës, që kësaj radhe shënoi. Në fraksionin e dytë 13-herë fituesit e Kupës së Shqipërisë shkarkuan gjithë dufin e mbledhur, falë dopjetës së Migen Memellit në minutat 47’ e 58’. Gjergji Muzaka në minutën e 68-të dhe Sorra në të 91’ vulosën edhe rezultatin 4-1, duke e bërë më të lehtë ndeshjen e kthimit në Tiranë. Ndeshja u zhvillua nën reshjet e shiut e në prani të shumë pak shikuesve në “Roza Haxhiu”. Partizani duket një tjetër formacion në Kupën e Shqipërisë, në ndryshim nga ai në kampionat, ku renditet i fundit pas 13 javëve të zhvilluara. 15-herë fituesit e kupës fituan në Burrel me rezultatin e ngushtë 1-0, në një ndeshje të shoqëruar gjatë gjithë takimin nga shiu i dendur dhe mjegulla. Golin e vetëm për rekordmenët e shënoi sulmuesi i talentuar 21-vjeçar Arbër Capo në minutën e 54-t.

KUPA E SHQIPËRISË

TURI I DYTË
GRUPI A
Skënderbeu-Dinamo 1-0
Shkëmbi 13’
Kastrioti-Besa 1-2
Roshi 77’ /Mancaku 31’,
Kuli 79’ (11-m)
Apolonia-Shkumbini 0-0
Teuta-Vllaznia (e shtyrë)
GRUPI B
Burreli-Partizani 0-1
Capo 54’
Besëlidhja-Elbasani
(e shtyrë)
Lushnja-Tirana 1-4
Çela 45’ / Memelli 47’, Memelli 58’, Muzaka 68’, Sorra 91’
Bylis-Flamurtari (e shtyrë)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›