Borxhi i SHBA-se. Sinjale per pakt te minutes se fundit

Demokratët dhe republikanët u shprehen optimistë përsa i përket arritjes së një marrveshjeje për të evituar falimentin në 2 gusht. Udhëheqësi republikan në Senat Mitch McConnell deklaroi se ishte arritur një nivel serioziteti në tryezë ndonëse bisedimet vazhdojnë. Për një qëndrim më pozitiv folën dhe senatorët demokratë. Sipas medias në Shtetet e Bashkuara është arritur në fakt një marrveshje paraprake. Asgjë nuk është akoma përfundimtare por parashikohet që tavani I borxhit të rritet me 2.800 miliardë dollarë e reduktimi i shpenzimeve në një nivel pak më të lartë.
Shtyrja e votimit në Senat mbështet një version të tillë theksojnë mediat. Udhëheqësi i shumicës demokrate në senat Harry Reid e shtyu me 12 orë një miratim sprovë për një propozim të demokratëve për rritjen e kufirit të borxhit. Me këtë ai fitoi më shumë kohë që të zhvillojë bisedime pas dyerve. Reid tha se, pavarësisht pengesave,ai ka besim se mund të arrihet një zgjidhje afatgjatë për krizën e borxhit. Dhoma e Përfaqësuesve që udhëhiqet nga republikanët kishte votuar më parë me një votë simbolike kundër propozimit për kompromis të demokratëve.Më herët, kryesuesi i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongres, Xhon Bohner tha se kishte besim në arritjen e një marrëveshje të çastit të fundit me presidentin Obama për të mundësuar likudimin potencial të borxheve. Bohner tha se dy republikanët kryesorë në Kongres, “ishin të bindur se do të ketë marrëveshje me Shtëpinë e Bardhë për t’i dhënë fund qorrsokakut”. Nëse demokratët dhe republikanët nuk bien dakord për ngritjen e tavanit ligjor të borxhit aktual, 14,3 miliardë dollarë, SHBA kërcënohet nga pamundësia për të paguar faturat në mesnatën e së martës. Kjo mund të sjellë pasoja për ekonominë globale.