E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhi i jashtëm i Shqipërisë rritet me 15,5 miliardë lekë

Rreth 15.5 mld lekë është kostoja financiare shtesë që qeveria do të paguajë, për shlyerjen e kësteve të borxhit të jashtëm, si pasojë e zhvlerësimit të monedhës kombëtare kundrejt asaj të eurozonës. 

TIRANE- Forcimi i euros gjatë këtij viti nuk ka penalizuar vetëm kredimarrësit në valutë, por edhe Buxhetin e Shtetit. Rreth 15.5 miliardë lekë është kostoja financiare shtesë që qeveria do të paguajë, tej parashikimeve të mëparshme, për shlyerjen e kësteve të borxhit të jashtëm, si pasojë e zhvlerësimit të monedhës kombëtare kundrejt asaj të eurozonës. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, shtesa e stokut të borxhit deri në fund të këtij viti parashikohet të arrijë në 77.9 miliardë lekë, duke përfshirë këtu ndikimin e kursit të këmbimit prej 15.5 miliardë lekësh të reja. Kjo ndodh, pasi 51.9 për qind e totalit të borxhit të Shqipërisë është marrë në euro, 6.8 për qind është marrë në dollarë dhe pjesa tjetër në valuta të ndryshme (jen, dinarë, etj). Ministria e Financave kishte parashikuar për shlyerjen e borxhit këtë vit një kurs këmbimi të euros me 131 lekë, ndërkohë që aktualisht monedha e eurozonës shkëmbehet me mbi 135 lekë. Krahasuar me shkëmbimet që qeveria ka bërë vitin e kaluar, euro tashmë është forcuar me rreth 8 lekë. Rritja e ndjeshme e euros me mbi 10 për qind gjatë këtij viti ka qenë me pasoja për ekonominë tonë. Nga zhvlerësimi i monedhës kombëtare janë prekur qytetarët që kanë marrë kredi në valutë dhe që të ardhurat i kanë në lekë. Gjithashtu, një supereuro përkthehet me shtrenjtim të importeve dhe rrjedhimisht, me rritje të çmimeve të mallrave të konsumit, që sigurohen kryesisht në tregjet e jashtme.

(s.g/GSH/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›