Borxhi publik, qeveria paguan 100 milionë euro interesa
Shpenzimet për interesat e borxhit publik që qeveria ka marrë për të financuar investimet për 5 muajt e parë të vitit arritën në rreth 100 milionë euro, duke u rritur ndjeshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave më të fundit zyrtare, nga Ministria e Financave, shpenzimet për interesa borxhi për periudhën janar-maj 2008 arritën në 12 miliardë e 360 milionë lekë, një vit më parë ishin pak më shumë se 10 miliardë lekë. Rritja ka ardhur kryesisht si pasojë e interesave për borxhin që është marrë nga bankat vendase, ose borxhi i brendshëm siç njihet ndryshe. Sipas të dhënave, interesat për borxhin e brendshëm gjatë kësaj periudhe kanë qenë 11.1 miliardë lekë, ndërsa ato për borxhin e jashtëm 1.32 miliardë lekë. Në janar maj të vitit 2007, interesat e paguara për borxhin e brendshëm ishin 9.3 miliardë lekë për borxhin e brendshëm dhe 699 milionë për kreditë e huaja.
Rritet kostoja e parasë, disa banka kontrollojnë tregun
Interesat e bonove të thesarit, që Banka e Shqipërisë emeton për llogari të qeverisë shqiptare, ndikohen më së shumti nga interesi bazë në ekonomi, por edhe ekuilibri mes kërkesës dhe ofertës. Norma bazë e interesit, ose “REPO” siç njihet ndryshe, që vendoset nga Banka e Shqipërisë, është rritur nga janari i vitit të kaluar dhe deri më sot me 0.75 për qind. Por interesi mesatar i borxhit të brendshëm nuk është rritur në të njëjtën masë. Krahasuar me një vit më parë, kostoja e borxhit të brendshëm publik është rritur me më shumë se 1 për qind, çka sipas ekspertëve mund t‘i kushtojë qeverisë rreth 35 milionë euro shpenzime për interesa më shumë në vit. Disa ekspertë të njohur, mes të cilëve edhe ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, aludojnë se tregu i borxhit publik në Shqipëri, ka mungesë konkurrence. Sipas Canit, “janë disa banka ato që kontrollojnë tregun e letrave me vlerë të qeverisë dhe komandojnë interesat”. Në fakt, kjo konfirmohet edhe nga të dhënat zyrtare. Tregu i borxhit të brendshëm kontrollohet përgjithësisht nga një oligopol bankash në masën 70 për qind, si dhe nga Banka e Shqipërisë me rreth 18 për qind. Shqipëria është nga të paktat vende ku individët nuk kanë interes për të investuar në bonot e thesarit, pasi janë të dekurajuar nga investimi në këtë treg.
28 Qershor 2008