E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhi publik, kostoja arrin majat

Ankandi i fundit i Bankës së Shqipërisë ka konfirmuar prirjen tashmë dyvjeçare të rritjes së kostos së borxhit. Në ankandin që u zhvillua ditën e djeshme, qeveria shiti përmes Bankës së Shqipërisë bono thesari me maturim 3,6 dhe 12-mujor me një vlerë totale prej 12.9 miliardë lekësh. Për bonot me maturim 12-mujor nga 23 kërkesat konkurruese të paraqitura, u pranuan 21 prej tyre. U kërkuan për shitje bono me vlerë 6,85 miliardë lekë dhe u shitën bono me vlerë 6,15 miliardë lekë. Yield-i mesatar i ponderuar në këtë ankand, ose interesi e thënë ndryshe, ka qenë 8.13%. Vetëm dy javë më parë, ky tregues ka qenë 8.11 për qind, ndërsa në muajin shkurt ai ishte 7.94 për qind. Ecuria e interesave për bonot e thesarit pasqyron politikën shtrënguese që Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë gjatë vitit të kaluar, e cila kulmoi me rritjen e normës së interesit për tri herë brenda gjysmës së dytë të vitit, me nga 0.25 pikë përqindjeje. Tashmë qeveria po paguan më shumë nga taksat e qytetarëve për të paguar interesat e borxhit që ajo merr nga bankat private.

Bonot 6-mujore

Për bonot me maturim gjashtëmujor u pranuan të gjashta kërkesat konkurruese të paraqitura dhe u shit e gjithë vlera e kërkuar 4,25 miliardë lekë. Yield-i mesatar i ponderuar ka qenë 7.51%. Në muajin shkurt, qeveria ka shitur bono me maturim 6-mujor me një normë interesi prej 7.29 përqindësh. Ndërkohë që në muajt e parë të vitit të kaluar interesi ka qenë 6.86 për qind.

Bonot tremujore

Edhe për bonot me maturim tremujor është shitur e gjithë vlera e kërkuar në shumën prej 2,5 miliardë lekësh. Banka e Shqipërisë i ka pranuar të pesta kërkesat e paraqitura nga bankat private për të blerë borxhin qeveritar. Interesi mesatar i ponderuar, që qeveria ka pranuar për këto lloj bonosh, ka qenë 6.28%. Në prill të vitit të kaluar, interesi me të cilin qeveria ka paguar këtë lloj borxhi, ka qenë 5.77 për qind.

Kostoja e borxhit

Rritja e kostos së borxhit është bërë tashmë një fenomen shqetësues për financat publike. Krahasuar me dy vjet më parë, kostoja e borxhit është rritur mesatarisht me dy pikë përqindjeje, duke bërë që më shumë para nga taksat e taksapaguesve shqiptarë të shkojnë për të shërbyer borxhin publik. Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, thotë se Financat kanë dështuar në mbajtjen e kostos së borxhit nën kontroll. Sipas Canit, bankat private në Shqipëri sillen në mënyrë të pandershme, duke bërë marrëveshje me njëra-tjetrën për të rritur padrejtësisht koston e borxhit qeveritar, për të përfituar më shumë. Ndërsa ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj e ka konsideruar disa herë me radhë rritjen e kostos së borxhit si një problem të mprehtë për financat publike dhe ekonominë shqiptare në tërësi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›