E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon taksa e pronave

Përpjekja e qeverisë për të disiplinuar tregun e Pasurive të Patundshme nuk ka rezultuar dhe aq e suksesshme. Të ardhurat tatimore që Ministria e Financave ka arritur të mbledhë nga transaksionet e Pasurive të Patundshme në vend për tremujorin e parë të këtij viti nuk janë as sa gjysma e atyre që ishin planifikuar në buxhetin e shtetit. Më konkretisht, për periudhën janar-mars të këtij viti, qeveria kishte parashikuar të mblidhte nga taksa e shitjes së Pasurive të Patundshme 721 milionë lekë, ose afro 9 milionë dollarë. Por nga këto, administrata tatimore ka arritur të mbledhë vetëm 338 milionë lekë ose 46.8 për qind të planit. Tatimi mbi Pasurinë u vendos për herë të parë në vendin tonë në janar të këtij viti. Norma e këtij tatimi është 10 për qind e fitimit, që një individ realizon nga shitja e Pasurisë së tij të Patundshme. Kjo masë u ndërmor me qëllim për të formalizuar tregun e Pasurive të Patundshme në vend, që deri më tani ka qenë krejtësisht jashtë ombrellës fiskale.

Referencat

Për të mos lejuar abuzimet me deklarimin e çmimeve të shitjes, qeveria ndërmori një masë, e cila nga disa ekspertë u konsiderua si arbitrare dhe ndërhyrje e pastër e shtetit në treg. Një udhëzim i ministrit të Financave dhe atij të Drejtësisë, i dalë përpara dy muajsh, ndalon çdo noter që në kontratat e shitblerjes së Pasurive të Patundshme, të vendosë çmime shitjeje më të ulëta se ato që ka përcaktuar Ministria e Financave. Udhëzimi ka përcaktuar koston e ndërtimit dhe çmimet referencë të shitjes për të gjithë territorin e vendit. Për kryeqytetin, kostoja e ndërtimit varion nga 30 mijë deri në 45 mijë lekë për metër katrorë në bazë të zonave ku ndodhet ndërtimi.

Udhëzimi

Në udhëzim është fiksuar se tatimi mbi të ardhurat nga kalimi i së drejtës së pronësisë paguhet nga individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi Pasurinë e Patundshme. Për llogaritjen dhe mbajtjen e tatimit mbi të ardhurat nga kalimi i së drejtës së pronësisë ngarkohen zyrat vendore të regjistrimit të Pasurisë së Patundshme. Derdhja e tatimit bëhet para kryerjes së regjistrimit të Pasurive të Patundshme, në përputhje me aktet ligjore. Hipotekat vendore mbledhin tatimin lidhur me kalimin e së drejtës së pronësisë së Pasurisë së Patundshme dhe e derdhin atë brenda 10 ditëve nga kryerja e veprimeve për llogari të organeve tatimore. Brenda datës 10 të muajit pasardhës, zyrat e regjistrimit të Pasurisë së Patundshme dërgojnë në degën përkatëse të tatimeve evidencën përkatëse, e cila përmbledh emrin e individit tatimpagues, shumën e llogaritur të tatimit mbi të ardhurat nga kalimi i së drejtës së pronësisë, si dhe numrin dhe datën e dokumentit të derdhjes së këtij detyrimi në organin tatimor.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›