E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profesorë shqiptarë e italianë, bashkë për kurrikulën e re

Tradita e seminareve për aktualizimin e informacioneve vazhdon sërish në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës. Raportet e bashkëpunimit, të vendosura gjatë këtyre viteve me shumë universitete italiane, kanë krijuar një rrjet të gjerë shkëmbimesh mes docentëve, një seri aktivitetesh ndërkombëtare, si dhe mundësi konkrete në integrimin e programeve dhe kurrikulave mes universiteteve shqiptare dhe atyre italiane. Edhe këtë vit më 25 dhe 26 prill në auditoret e departamentit të Italishtes do të bashkohen profesorë nga të gjitha kurset e gjuhëve nga të dy vendet. Së bashku do të marrin pjesë në një seminar që do t‘i dedikohet rishikimit të kurrikulave universitare në kuadrin e diplomave të reja, që lidhen me Deklaratën e Bolonjës. Seminari është i hapur edhe për mësues të italishtes të shkollave të mesme të Tiranës, si dhe për studentët që frekuentojnë masterat apo për ata të vitit të IV-t të studimeve. Punimet do të çelen nga zyrtari i lartë i ambasadës italiane Dr. Francesco De Luigi. Prezenca e diplomatëve italianë, shoqëron aktivitete të tilla që prej vitesh dhe lidhet me përhapjen e gjuhës dhe kulturës italiane. Takimi do të përmbyllet me një udhëtim turistiko-kulturor në zonat arkeologjike dhe më të bukura shqiptare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›