E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënshkruhet marrëveshja për TEC-in grek

Termocentrali me qymyr që grekët duan të ndërtojnë në Shqipëri tashmë ka hyrë në një fazë të re më të avancuar drejt ndërtimit të kësaj vepre. Dy ditë më parë, Kompania Publike Greke PPC dhe gjigandi gjerman i energjetikës RËE, njoftuan se kanë arritur marrëveshjen, ku parashikohet ndërtimi i një termocentrali me fuqi 500-800 megavat në territorin shqiptar. Marrëveshja greko-gjermane u nënshkrua dhe tani priten detajet konkrete të propozimit për palën shqiptare. Termocentrali për të cilën palët kanë rënë dakord do të zhvendoset nga Kozani në Greqi për në Shqipëri, pasi u refuzua fort nga banorët e qytetit grek. TEC-i do të ketë një kapacitet prej 500-800 megavat, gati 5-8 herë më të madh se ai i Vlorës. I kontaktuar në telefon, zëdhënësi i grupit gjerman, Lothar Lambertz, i cili konfirmoi arritjen e marrëveshjes, deklaroi se shumë shpejt të dyja kompanitë do të nisin bisedimet zyrtare me qeverinë shqiptare për të marrë lejen për ngritjen e TEC-it. Zoti Lambertz tha se vendi ekzakt se ku do të ndërtohet TEC-i ende nuk është përcaktuar, pasi kjo do të bëhet në një fazë të mëvonshme. Pyetjes se pse u zgjodh Shqipëria për ndërtimin e kësaj vepre, ai i është përgjigjur me argumentin se tregu shqiptar dhe ai grek kanë mungesë energjie, duke deklaruar se energjia e prodhuar do të jetë për të dyja vendet.

Energjia

Por pak ditë më parë, kreu i Korporatës Greke të Energjisë, Takis Athansopoulos, kishte deklaruar se prodhimi i energjisë nga ky termocentral do të përdoret i gjithi për shtetin grek, kurse për Shqipërinë do të jepet një pjesë e vogël energjie si këmbim vetëm për lejen e ndërtimit. Qeveria shqiptare ka pranuar tashmë zyrtarisht se ajo është vënë në dijeni për projektin. Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, deklaroi se, deri tani, pala shqiptare është njohur vetëm me një propozim për të bërë ofertë për ndërtimin e një TEC-i në Shqipëri, por vetëm kaq. Qeveria shqiptare, sipas Rulit, është në pritje të ofertës së plotë dhe vetëm pas shqyrtimit të saj do të marrë vendimin përkatës. TEC-i i Kozanit, të cilët grekët kërkojnë ta transferojnë në Shqipëri, sipas vetë shoqatave ambientaliste greke është i një teknologjie të vjetër dhe shkakton ndotje të lartë.

TEC

Me këtë marrëveshje Shqipëria rrezikon të përfshihet në një skandal ekologjik, nëse pranon ofertën e grekëve për ndërtimin e një TEC-i të ri për prodhimin e energjisë elektrike me qymyrguri. Gazeta greke "Ethnos", që botoi e para lajmin, para disa ditësh shkruante se Kompania Energjetike Greke PPC ka anuluar ndërtimin e TEC-it në qytetin bregdetar të Kozanit në Greqi, për shkak të protestave të forta të banorëve të zonës, të cilët nuk kanë pranuar nivelin e lartë të ndotjes që ai do të sillte në qytetin e tyre. Por grekët duken të vendosur që t‘i shkojnë deri në fund projektit, duke e gjetur zgjidhjen e problemit të tyre me qytetarët grekë, te zhvendosja e termocentralit në Shqipëri. Athansopulos, që citohet nga gazeta, deklaroi se vendimi për zhvendosjen e TEC-it, u mor pasi reagimet, sipas tij të padrejta të banorëve të Kozanit, po i kushtojnë zonës disa milionë euro investime. Sipas gazetës "Ethnos", vitin tjetër Greqia do të ketë nevojë për 800 megavatorë më shumë energji, dhe nëse nuk i siguron, shumë zona të saj do të vuanin nga kufizimet. Ndaj grekët kërkojnë që ky termocentral të ndërtohet në kohë rekord.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›