E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Berisha është arkitekti i dështimeve të mëdha të vendit”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e cilësoi dje kryeministrin Sali Berisha si arkitektin e dështimeve të mëdha që po kalon vendi. Rama, duke u ndalur te sukseset imagjinare të Berishës për ekonominë, u shpreh se për çdo lajm të keq që mund të vijë nga Europa faji do të jetë vetëm i Berishës. Sipas tij, kryeministri Berisha grabiti zgjedhjet dhe tani po shkatërron ekonominë. Kryesocialisti kujtoi premtimin elektoral të Berishës për hapjen e 160 mijë vendeve të reja pune, ndërsa sipas tij, Berisha deri tani ka mbyllur 100 mijë të tilla. Lideri i opozitës tha se Berisha premtoi investime publike e private dhe tani po shkatërron sipërmarrjen me gjoba për të mbushur arkën e boshatisur të shtetit. Gjithashtu, sipas tij, premtoi rritje të fuqisë blerëse dhe ndërkohë që çmimet janë rritur me herë, thotë do rritë pagat, ndryshe nga çdo vend në botë. Kryetari i PS-së i bëri thirrje kryeministrit të lejojë transparencën për të mos shtyrë siç tha ai më tej vendin në humnerë.
Deklarata
Rama, në kuadrin e rrënimit të ekonomisë së vendit, i ka bërë thirrje Berishës ta shohë realitetin në sy, duke mos deklaruar suksese imagjinare të qeverisë. “A ka shqiptar të logjikshëm që ta besojë se ne jetojmë në vendin me zhvillimin më të shpejtë në botë, ndërkohë që varfëria rritet çdo ditë; me ekonominë më të shëndetshme në botë, ndërkohë që papunësia rritet çdo ditë; me qeverinë më të suksesshme në botë, ndërkohë që korrupsioni rritet çdo ditë e çdo ditë ndodhin krime të padëgjuara më parë, dhe me kryeministrin më të mirë në botë, ndërkohë që zotëria ka frikë të hapë kutitë e votimeve nga ka dalë? Sali Berisha vazhdon avazin e vetëm që di, shpif, shpif se diçka mbetet; gënje, gënje se diçka besohet; grabit, grabit dhe shkatërro, shkatërro se gjithçka harrohet”, - u shpreh Rama, duke shtuar: “Kryeministri inauguron punë të inauguruara nga katër e pesë herë. Trillon shpifje e akuza të bëra bozë tash e njëzet vjet. Gënjen me shifrat e ekonomisë dhe harron se gjendja e ekonomisë është pjesë e jetës së çdo familjeje shqiptare. Dhe çdo familje shqiptare sot jo vetëm e kupton, por edhe e jeton përditë, në xhepin e saj, në tryezën e saj të bukës, në shtrenjtimin e çdo gjëje, krizën ekonomike”.
Transparenca
Sipas kryesocialistit, kriza i ka rrënjët te kutitë e votimit, të cilat pengojnë transparencën që për kreun e PS-së bie ndesh me interesat politike e financiare të pushtetit të Berishës. “Është koha për të folur hapur me shqiptarët e për t’u treguar të vërtetën e krizës, duke nisur nga transparenca e zgjedhjeve që do të çlirojë votën e tyre dhe do t’i bëjë qytetarët gjykatësit e vërtetë të qeverisjes e të politikës. Është koha për të mos bërë veshin shurdh karshi kërkesës së të gjithë komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës dhe për të mos gënjyer veten, as duke kujtuar se miqtë e partnerët tanë do mbyllin sytë tanimë që janë ulur të gjithë në tavolinë për zgjidhje dhe as duke e marrë urtësinë e opozitës si dobësi”, - tha Rama. Sipas tij, shqiptarët po e kuptojnë se kjo krizë është kriza e keqqeverisjes që i ka rrënjët te kutitë e mbyllura të zgjedhjeve. “Është kriza e transparencës që bie ndesh me interesat politike e financiare të një pushteti të kthyer në oborr familjarësh, klientësh e shërbëtorësh të Sali Berishës. Është kriza e shkaktuar nga korrupsioni i papërmbajtur i këtij oborri dhe injoranca dërrmuese në administrimin e punëve të vendit”, - tha Rama.

Berisha pret kreun e Bordit të kompanisë “AKTOR”, Dimitris Koutras

Kryeministri Sali Berisha priti dje kryetarin e Bordit të kompanisë “AKTOR”, Dimitris Koutras, i cili ishte i shoqëruar nga këshilltari për çështjet ekonomike në Ambasadën Greke në Tiranë, Christos Farmakis. Koutras i prezantoi kryeministrit vendimin e Bordit të kompanisë së tij për të shtrirë aktivitetin e tyre në projekte infrastrukture në Shqipëri. Ai prezantoi projektet e mëdha në të cilat ka punuar kjo kompani si në rrugë, ura të mëdha, qendër të Lojërave Olimpike, Aeroportin e Greqisë, pjesë të rëndësishme të Rrugës Egnatia etj., duke shtuar se qëllimi i tyre është pjesëmarrja në gara publike dhe prezantimi i projekteve private të investimeve në Shqipëri. Kryeministri Berisha prezantoi projektet e mundshme në fushën e infrastrukturës, për të cilat kompania “AKTOR” shprehu interes, si rruga Tiranë-Elbasan, segmente të Rrugës së Arbrit, Boshti i Jugut, zgjerimin e autostradës Milot-Shkodër dhe Unazën e Madhe të Tiranës. Kryeministri i sugjeroi që fusha të tjera ku ata mund të shtrinin aktivitetin e tyre ndërtues në sektorin privat, ishin një sërë veprash të mëdha hidrike, fabrika çimentosh dhe vepra të tjera në ndërtim. Kryeministri Berisha tha se qeveria do të vazhdonte mbështetjen për biznesin, si kusht i rëndësishëm për zhvillimin shpejtë të vendit dhe përballimin e situatës delikate të krizës botërore. Kryeministri garantoi për transparencën e proceseve të tenderimit për veprat e infrastrukturës publike dhe lehtësi operimi në fushën e investimeve private, në përputhje me legjislacionin shumë tërheqës dhe lehtësues të Shqipërisë, në këtë drejtim.

Meta: “Deri më 20 shtator, LSI-ja do të ketë ka gati kandidatët për zgjedhjet lokale”

Lëvizja Socialiste për Integrim është mbledhur dje pasdite për të diskutuar mbi ristrukturimin e partisë. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta deklaroi se ristrukturimi bëhet në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe do të nisë me Tiranën. Sipas Metës, deri më 20 shtator do jenë gati listat e kandidatëve për strukturat e Tiranës. Gjatë fjalës së tij, kreu i LSI-së ka theksuar se qëllimi i forcës politike që ai drejton është shumëfishimi i votave dhe angazhimi në problemet e kryeqytetit. Meta ka deklaruar më herët se pikërisht kryeqyteti është një pikë e fortë ku LSI-ja do të ketë kandidatët e saj.

10 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›