E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premtimi i 1 korrikut, Bode debat me Berishën për rritjen e pagave



Ervin KOÇI

Rritja e pagave dhe pensioneve më 1 korrik sipas premtimit të kryeministrit Berisha, rrezikon të mos bëhet. Jo për mungesë të vullnetit të qeverisë, por duket se buxheti i shtetit nuk i ka paratë e mjaftueshme për fondin që kërkohet për rritjen e 14 përqindëshit. Aq e fortë mbetet kjo dilemë, sa ditët e fundit korionet e Ministrisë së Financave dhe Kryeministrisë kanë qenë një paradë ecejakesh e kreut të Financave, i cili është munduar që të bindte shefin e tij, se u mungojnë paratë. Por edhe pse përpjekjet bindëse të palës së Financave kanë vijuar pa reshtur ndaj palës kryeministrore për tre ditë me radhë, ky i fundit, pra shefi i qeverisë, ka premtuar jo më larg se dje se në datën 1 korrik 2010, buxhetorët dhe pensionistët do të prekin rritjen historike të pagave dhe pensioneve. “Nga1 korriku, 820 mijë punonjës të administratës e pensionistë do të përfitojnë rritjen më të madhe të rrogave e pensioneve”,- deklaroi kryeministri Berisha, duke shtuar se, “rritja e rrogave dhe pensioneve është më e madhja e bërë ndonjëherë”. Sipas kryeministrit, ky vendim i qeverisë shqiptare vjen në një kohë kur në Evropë e Botë po bëhet e kundërta, domethënë ulja në masë e pensioneve dhe pagave në kuadër të krizës që i ka kapluar këto vende. “Rritja e rrogave dhe pensioneve është në kundër-rrjedhë me të gjithë trendin e qëndrimeve të qeverive të vendeve të Europës, por dhe të botës. Këto qeveri kanë ulur ndjeshëm rrogat, kanë ngrirë pensionet dhe kanë hequr të gjithë stimujt e tjerë në masën 75 -100 për qind. E gjitha kjo është diktuar tërësisht nga kriza ekonomike",- tha Kryeministri Berisha.

Përpjekjet e Bodes
Mbledhjet që janë zhvilluar këto ditë në kryeministri jashtë vëmendjes së kureshtarëve, janë mbajtur në një atmosferë tejet tensionuese. Burime nga MF-ja bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se, “kreu i Financave është munduar ta bindë më kotë kryeministrin për rishikimin e buxhetit, duke i paraqitur realitetin mbi shifrat e të ardhurave dhe shpenzimeve, mbi bazën e të cilave do të hartohet paketa e re”. Tjetër çështje e rëndësishme është niveli i ri i pagave dhe pensioneve, që kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka deklaruar hapur disa herë se do ta rrisë në nivele 10-14 për qind. Edhe në këtë pikë, sipas burimeve “për kreun e Financave ka qenë një mision i pamundur, pasi situata ekonomike nuk e lejon një veprim të tillë”. Takimi i parë i zhvilluar katër ditë më parë në Kryeministri, ka qenë në rang ekspertësh, ku kryeministri është njohur paraprakisht me skenarin e MF-së. Por burimet shtojnë se të tjera takime me negociata do të mbahen rreth nivelit të ri të shpenzimeve, pagave dhe pensioneve, deri në fund të muajit qershor, që mbyll 6-mujorin, ndërsa në korrik do të mësohet buxheti i rishikuar 2010.

Shpenzimet
Për MF-në është e kuptueshme se njeriu i vetëm që vendos mbi nivelin e ri të pagave dhe pensioneve është kryeministri, sado të jenë bindës ekspertët e ministrit Bode. “Ne do t’i paraqesim Kryeministrit disa variante të buxhetit, e bashkë me to edhe rritjen e pagave e pensioneve”,- sqaron një burim nga MF-ja, duke shtuar se deri tani nuk ka asnjë ide përfundimtare dhe se po kryhen bisedime në rang ekspertësh. Situatën e vështirë me shpenzimet buxhetore duket se e konfirmon edhe vetë zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda. I pyetur nga gazetari i Televizionit Publik Shqiptar, nëse do të ketë rritje pagash dhe pensionesh të reja(?), përgjigjja ishte: “Nuk kemi një ide konkrete, pasi presim të dhënat e muajit qershor dhe të gjithë 6-mujorit”.

Skenarët
Plani paraprak për rishikimin e buxhetit 2010 parashikon reduktimin e shpenzimeve me të paktën 30 miliardë lekë, ku 20 miliardë lekë janë tek investimet dhe nga 5 miliardë për korrentet dhe pushtetin lokal. Nuk përjashtohet mundësia që tkurrja e buxhetit të jetë edhe më e madhe, duke mbetur në skenarin e parë, për më pak se 40 miliardë lekë. Megjithatë, MF-ja pret zhvillime pozitive në sektorin e privatizimeve, nga ku parashikon rritje të ardhurash në buxhet nga shitja e aseteve. Shifrat zyrtare të periudhës 4-mujore paraqesin një situatë të zymtë në nivelin e arkëtimeve. Sipas të dhënave të publikuara nga MF-ja, niveli i të ardhurave totale rezultoi në rreth 92 për qind, ose gati 80 milionë dollarë më pak se plani. Të ardhurat tatimore shënojnë një nivel të ulët, rreth 90 për qind, ose gati 95 milionë dollarë më pak, duke ndikuar në përkeqësimin e financave të shtetit. Kurse arkëtimet nga tatimet dhe doganat shënuan një nivel prej 93 për qind, ose 44 milionë dollarë më pak, gjithnjë duke i krahasuar me plani si 4-mujor. Për sa i takon deficitit, tregues i rëndësishëm në mbarëvajtjen e financave, ka pasur një rritje me 87 për qind mbi planin, ose 3 miliardë lekë më shumë.

10 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›