E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Vota për PS-në, votë për një qeveri që është në duart e qytetarëve”



Turi i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për prezantimin e programit të ri qeverisës ka vazhduar në komunën e Sheqerasit të qarkut Korçë. Rama, së bashku me kandidatët për deputetë të qarkut Korçë, Blushi, Dalipi, Majko, Kodheli e Ahmetaj, kanë preferuar të zhvillojnë takime në çdo rrugicë të kësaj komune, duke folur kokë më kokë me banorët e saj për problemet e tyre, por edhe për rrugëzgjidhjet që ofron PS-ja me programin e saj qeverisës. Gjatë takimeve të zhvilluara me banorët, Rama ka deklaruar se pas 28 qershorit do të lindë një epokë e re për Shqipërinë. Ai u ka bërë thirrje banorëve që të votojnë në këto zgjedhje për Partinë Socialiste, sepse duke votuar për PS-në ata do të votojnë për një qeveri që do të jetë në duart e tyre. “Asgjë nuk është e pamundur nëse ne jemi të gjithë bashkë. Ne besojmë se nuk është e pamundur që ne të ulim koston e prodhimit, që ne t’ua japim naftën pa akcizë, që ne t’ju mbështetim për farërat, për plehrat, për pesticidet, që ne t’ju qëndrojmë pranë dhe t’ju garantojmë rrugët e nxjerrjes së prodhimit në treg, që ne t’ju mbrojmë nga konkurrenca e pandershme dhe e padrejtë dhe që ne t’ju japim krahët që ju kanë munguar deri sot, për të vrapuar drejt një të ardhmeje që me patjetër do të jetë e ndryshme nga e sotmja. Ne jemi këtu sepse besojmë te Shqipëria, ne besojmë te forca dhe talenti i njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Ne besojmë te ju, te vullneti juaj për të jetuar me punë të ndershme, te ambicia juaj për t’iu dhënë fëmijëve një shkollë që nesër të jenë të aftë për ta përballuar jetën, për dinjitetin tuaj, për të mos i lënë më të moshuarit të braktisur në vetminë e tyre. Votojeni Partinë Socialiste, që nesër të keni një qeveri që të jetë e juaja”, - tha Rama. Kreu i PS-së tha se ai dhe ekipi i kandidatëve të PS-së nuk janë në këtë garë elektorale për të ndryshuar një kabinet qeverisës me një tjetër, por për të ndryshuar cilësinë e jetës së shqiptarëve pavarësisht largësive gjeografike me kryeqytetin: “Votojeni Partinë Socialiste që nesër të mos e keni qeverinë në kutinë e televizorit, por këtu pranë jush. Ta keni qeverinë aty në fushë, ku hidhet fara e prodhimit tuaj, aty në rrugë ku duhet të vijë për të gjithë uji i pijshëm në shtëpitë tuaja, aty pranë te shkolla ku duhet të mësojnë fëmijët tuaj. Votojeni Partinë Socialiste në mënyrë që nesër të na keni përsëri këtu, siç na keni sot, që të diskutojmë dhe vendosim së bashku dhe të hedhim së bashku çdo hap për të rritur mirëqenien dhe cilësinë e jetës në fshatin tuaj, për të rritur dinjitetin dhe respektin për vendin tonë të përbashkët, për Shqipërinë e shekullit të ri”, - tha Rama.

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›