E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Qeveria të gjejë zgjidhje për votën e votuesve pa pasaportë dhe pa karta

Islami kërkon ndihmën e OSBE-ODIHR-it për të shpëtuar procesin zgjedhor. Deputeti socialist: “Nuk do të lejojmë zgjedhje pa standarde, të gjithë duhet të votojnë”

Shaban Sulçe

Partia Socialiste e konsideron në prag të dështimit të plotë procesin e pajisjes me karta identiteti, duke qenë se më pak se 20 ditë nga afati përfundimtar, rreth 300 mijë shtetas pa pasaportë nuk kanë mundur të aplikojnë për t’u pajisur me karta identiteti. Selia rozë ka deklaruar se pengesat e shumta që i ka shkaktuar qeveria këtij procesi lënë dyshime të forta për manipulim të zgjedhjeve nga ana e saj. Për këtë arsye, Partia Socialiste, ndërmjet sekretarit për Çështjet Zgjedhore të saj, Kastriot Islami, ka kërkuar dje edhe ndihmën e misionit të OSBE-ODIHR-it në Shqipëri, duke I bërë thirrje qeverisë që ti paraqesë këtij misioni listën e votuesve pa pasaportë, të cilët nuk kanë aplikuar për karta identiteti. Islami paraqiti në emër të Partisë Socialiste 5 kërkesa zyrtare, plotësimi i të cilave sipas tij do të shpëtojnë zgjedhjet e 28 qershorit nga dështimi dhe manipulimi i tyre.

Kërkesat
Deputeti socialist kërkoi nga qeveria që të vërë menjëherë në dispozicion të komisionit parlamentar “Ad-hoc” si dhe misionit të OSBE-ODIHR-it, listën e votuesve pa pasaportë që ende nuk kanë aplikuar. Islami e cilësoi abuziv justifikimin e qeverisë përpara ndërkombëtareve se mbi 300 mijë votues pa pasaportë janë emigrantë ilegalë apo se nuk dëshirojnë të votojnë.
Ai e cilësoi këtë justifikim si një përpjekje për të mbuluar dështimin e këtij procesi. Për këtë arsye deputeti socialist kërkoi nga Ministria e Brendshme që të bëjnë publike listën e të gjithë votuesve pa pasaportë që kanë aplikuar si dhe listën e azhornuar të votuesve pa pasaportë që ende nuk kanë aplikuar.
“Kjo është një kërkesë që bëhet me forcë sot, rreth 35 ditë para zhvillimit të zgjedhjeve dhe ju paralajmëroj se këtë debat do ta shikoni shumë të nxehtë deri në dy javët e fundit para zgjedhjeve nëse nuk do të gjendet zgjidhje tjetër për këtë kategori votuesish”, - vijoi deputeti socialist.

Zgjidhja
Islami tha se Partia Socialiste nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve pa gjetur një zgjidhje për garantimin e votës për 300 mijë votuesit që nuk kanë mundur të aplikojnë për karta identiteti, por gjithsesi ai përjashtoi shtyrjen e zgjedhjeve. Për këtë arsye, deputeti socialist bëri publike kërkesën e tretë të PS-së, sipas së cilës qeveria duhet të gjejë një zgjidhje për të garantuar të drejtën e votës për votuesit që deri më 12 qershor do të mbeten pa mjet identifikimi.
Kërkesa e katërt e Partisë Socialiste në drejtim të qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme është publikimi i shifrës dhe listës së votuesve pa pasaportë që kanë marrë në dorë kartën e identitetit.
Kërkesa e pestë e Partisë Socialiste në drejtim të Ministrisë së Brendshme është vënia në dispozicion të komisionit kuvendor “Ad-hoc” të listës së votuesve që kanë pasaportë.
“Nëse kjo kërkesë nuk plotësohet, atëherë na lind e drejta të deklarojmë se shifra e 730 mijë votuesve pa pasaportë sipas MB-së, është e pasaktë ose qëllimisht e zvogëluar”, - tha Islami. Ai deklaroi se PS-ja do të kërkojë ndihmën e OSBE-ODIHR-it për të monitoruar plotësimin e 5 kërkesave të saj. Islami tha se Partia Socialiste do të bëjë pas pak ditësh analizën e fundit të këtij procesi, ndërkohë që përsëriti qëndrimin e saj për të mos lejuar zgjedhje të manipuluara në Shqipëri.

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›