E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: “PS-ja, strategji kombëtare për zgjidhjen e problemeve të komunitetit egjiptian”



Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, ka marrë pjesë dje në punimet e Kongresit të komunitetit egjiptian në Shqipëri. Gjatë fjalës së saj në këtë takim, Leskaj tha se qeverisja e ardhshme socialiste, jo më vonë se 60 ditë nga krijimi i saj, do të krijojë një komision të posaçëm, i cili do të identifikojë problemet e komunitetit egjiptian në Shqipëri, duke propozuar edhe zgjidhjet konkrete që nevojiten. Leskaj tha se qeverisja e ardhshme socialiste do të hartojë një strategji kombëtare për këtë komunitet. “Ne marrim përsipër që përfaqësuesit tuaj të jenë në Komitetin Shtetëror të Komuniteteve, një komitet shtetëror që për hir të së vërtetës është ngritur nga qeveria socialiste në vitin 2004, por që nuk ka bërë atë që duhet. Ndaj ju do të keni përfaqësuesit tuaj atje, në mënyrë që të jenë zëri juaj në këtë komitet. Ne e kemi parashikuar që jo më vonë se 60 ditë nga krijimi i qeverisë së re, do të ngremë një komision të përbërë me përfaqësuesit tuaj dhe nga specialistë nga më të mirët e vendit, të cilët do të punojnë për identifikimin e nevojave dhe të problemeve që ka ky komunitet dhe duke propozuar edhe zgjidhjet konkrete se si mund të zgjidhen sepse unë besoj se ju jeni më të mirët për të identifikuar nevojat tuaja, por jeni më të mirët edhe për të propozuar zgjidhjet e mundshme të problemeve që ju mundojnë. Natyrisht, ne do të angazhohemi aty me specialistët tanë më të mirë që kemi të të drejtave të njeriut apo edhe të fushave të tjera. Ne marrim përsipër që të hartojmë një strategji kombëtare për ju, sepse është e palejueshme që deri sot janë hartuar strategji kombëtare për të gjitha grupimet, për të gjitha minoritetet, për shumë kategori, për shumë fusha, por nuk ka ende një strategji kombëtare për ju. Ne do ta bëjmë këtë sapo të vijmë në pushtet. Të jeni të sigurt se më 28 qershor ne do të jemi këtu me qeverisjen e re”, - tha Leskaj.

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›