E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuota 30%, kandidatet femra të PS-së dhe PD-së që favorizohen nga listat

13 kandidate të PS-së e kanë pothuajse të sigurt mandatin në Kuvendin e ardhshëm. Jozefina Topalli, më e favorizuara në listën e kandidaturave femra të Partisë Demokratike

Shaban Sulçe

Partia Socialiste rezulton të ketë favorizuar më tepër në listat e saj kandidatet femra në krahasim me listat e hartuara nga Partia Demokratike. Pavarësisht se të dyja partitë janë të detyruara të respektojnë detyrimin ligjor të Kodit Zgjedhor për respektimin e kuotës 30% të përfaqësimit të kandidateve femra në lista, jo të gjitha kandidatet e kanë të sigurt mandatin e deputetit në Parlamentin e ardhshëm. Ashtu siç është konstatuar në shumë qarqe, si në listën e PD-së, ashtu dhe në listën e PS-së, emrat e kandidateve femra gjenden në vendet e fundit në këto lista. Megjithatë, nga ana tjetër, duhet theksuar se një pjesë e konsiderueshme e kandidateve femra mund të konsiderohen që tani me “një këmbë” në Parlamentin e ardhshëm. Kjo pasi emrat e tyre gjendet në vendet e para në lista, ose edhe në pozicione mjaft favorizuese, të cilat maksimalizojnë mundësitë e fitimit të mandatit. Në këtë drejtim, Partia Socialiste, në krahasim me Partinë Demokratike, është treguar më favorizuese ndaj kandidateve femra. 13 kandidate të PS-së janë të favorizuara nga renditja në lista në krahasim me 10 kandidaturat femra të Partisë Demokratike.

PS-ja

13 kandidate femra të Partisë Socialiste rezultojnë të favorizuara në renditjen e tyre në lista dhe me mundësi shumë të mëdha për të qenë në Parlamentin e ardhshëm. Kështu, në qarkun e Tiranës emrat e tre kandidateve, përkatësisht Vasilika Hysi, Eglantina Gjermeni dhe Ledi Shamku, janë të renditura në 10 vendet e para të listës së Partisë Socialiste. Hysi, Gjermeni dhe Shamku mund të konsiderohen deputete të ardhshme të Kuvendit, duke qenë se në qarkun e Tiranës konkurrohet për 32 deputetë dhe se në këtë qark Partia Socialiste ka një mbështetje të madhe në elektorat. Gjithashtu, në qarkun e Durrësit, kandidaturat e Rudina Seserit dhe Klodiana Spahiut janë renditur në vendet e para të listës së PS-së, respektivisht në vendin e dytë dhe në vendin e pestë. Në qarkun e Elbasanit kandidatet femra të favorizuara janë ato të Valentina Leskajt (e para në listë) dhe Shegush Ligorit (në vendin e katërt). Në qarkun e Gjirokastrës, lista e PS-së kryesohet nga kandidatja Arta Dade. Në qarkun e Fierit, Ermelinda Meksi është e dyta në listën e PS-së, në qarkun e Beratit kandidatura e favorizuar është ajo e Ermonela Velajt (e treta në listë), ndërsa në qarkun e Vlorës, Luiza Xhuvani është në vendin e dytë në listën e kandidaturave të Partisë Socialiste. Në qarkun e Korçës, kandidaturat e favorizuara janë ato të Mimi Kodhelit dhe Olta Xhaçkës, respektivisht në vendin e tretë dhe të gjashtë të listës së Partisë Socialiste.

PD-ja
Pa diskutim që kandidatura femër më e favorizuar në listat e Partisë Demokratike është ajo e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila udhëheq listën e PD-së në qarkun e Shkodrës. Po në këtë qark, në pozicion të favorshëm gjendet edhe emri i ish-ministres së Integrimit, Arenca Trashani, e cila kandidon e treta në listën e PD-së. Po në vendet e treta në listat e PD-së gjenden të renditura kandidaturat e Rajmonda Bulkut (Tiranë), Paulina Hotit (qarku Lezhë), Mesila Dodës (qarku Fier), Ledina Pajollit (në qarkun Korçë) dhe zëvendësministres së arsimit, Adriana Gjonajt në qarkun e Elbasanit. Ndër kandidatet e favorizuara në listën e PD-së cilësohen ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila është e pesta në qarkun e Tiranës, Albana Vokshi, e dyta në qarkun e Durrësit si dhe Laureta Bejkosala, e pesta në qarkun e Vlorës.

Kandidaturat e favorizuara të PS-së
QARKU BERAT
Ermonela Velaj (3)
QARKU DURRËS
Rudina Seseri (2)
Klodiana Spahiu (5)
QARKU ELBASAN
Valentina Leskaj (1)
Shegush Ligori (3)
QARKU FIER
Ermelinda Meksi (2)
QARKU GJIROKASTËR
Arta Dade (1)
QARKU KORÇË
Mimi Kodheli (3)
Olta Xhaçka (6)
QARKU TIRANË
Vasilika Hysi (1)
Eglantina Gjermeni (8)
Ledi Shamku (10)
QARKU VLORË
Luiza Xhuvani (2)

Kandidaturat e favorizuara të PD-së

QARKU TIRANË
Rajmonda Bulku (3)
Majlinda Bregu (5)
QARKU LEZHË
Paulina Hoti (3)
QARKU VLORË
Laureta Bejkosala (5)
QARKU DURRËS
Albana Vokshi (2)
QARKU FIER
Mesila Doda (3)
QARKU KORÇË
Ledina Pajolli (3)
QARKU ELBASAN
Adriana Gjoni (3)
QARKU SHKODËR
Jozefina Topalli (1)
Arenca Trashani (3)

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›