Bosch: Do preferoja që KQZ të jetë me 8+1
Pas zhvillimit të Konventës së jashtëzakonshme Kombëtare të LSI, mijëra pjesëmarrësit në të, u drejtuan drejt zyrave të OSBE, së bashku me mesazhet "Mos lejoni vjedhjen e votave", "Mos lejoni manipulimin e zgjedhjeve", "Demokracia është vota e lirë", "Vota është e shenjtë", etj. Ilir Meta i kërkoi dje komunitetit ndërkombëtar dhe të gjithë përfaqësuesve të tij në Shqipëri, që ta marrin shumë seriozisht çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të ushtrojnë të gjithë ndikimin e nevojshëm, të parandalohet shkatërrimin e zgjedhjeve nga dy partitë e tjera, pasi vendi ynë nuk meriton më të vonohet për t'u bashkuar familjes evropiane. Pas 15 minutash protestë, përpara zyrave të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori i saj, Robert Bosch doli nga zyra e tij dhe takoi anëtarët e Konventës Kombëtare të LSI. Ai shprehu mendimin dhe besimin e tij, që formula e KQZ duhet të jetë jo 6+1, siç po e bëjnë PS dhe PD, por 8+1, ku të jetë dhe anëtari i LSI në Komisionet e administrimit të votave. Sipas Bosch: "Tashmë kemi një sistem të ri dhe do përpiqemi, që të aplikojmë këtë sistem të ri në mënyrë sa më të lirë dhe të ndershme, që të jetë e mundur. Ne si OSBE do ushtrojmë presionin tonë, që ky proces të jetë sa më gjithëpërfshirës".