Meta: Ne në krye të protestave për votën, OSBE mbështet LSI për KQZ-në
Aristir Lumezi
Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi dje Konventën Kombëtare të Jashtëzakonshme, për të kundërshtuar dhe për të mos pranuar në asnjë mënyrë vjedhjen e votës së shqiptarëve në vitin 2009, manipulimin dhe masakrimin e këtyre zgjedhjeve, nga formula që Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë hartuar së bashku për Kodin e ri Zgjedhor. Konventa e cila u zhvillua në Pallatin e Kongreseve, i cili ishte i tejmbushur shprehu vendosmërinë e LSI për të mbrojtur me çdo kusht votën e lirë, e cila sipas projektit të dy partive të mëdha synohet të tjetërsohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sipas formulës së re të tij. Konventa është hapur dhe drejtuar nga kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Erisa Xhixho, e cila i është drejtuar të gjithë pjesëmarrësve në sallë me moton dhe mesazhin: "Vota është e shenjtë", mesazh i cili është përsëritur njëzëri nga të gjithë anëtarët e Konventës Kombëtare të LSI. Sloganet e konventës, të cilat pjesëmarrësit dhe të rinjtë i përsëritën vazhdimisht ishin "Jo diktaturës!", "Jo korrupsionit!", "Nuk do kalojë".
Meta
Duke iu drejtuar anëtarëve të Konventës Kombëtare, kryetari i LSI-së Ilir Meta, dha një tablo të plotë të situatës politike, ku ndodhet vendi pikërisht në prag të përfundimit dhe të reformës zgjedhore, tha se "vendi është në një udhëkryq të rrezikshëm". "Nëse Rama e Berisha do të vazhdojnë të hedhin vallen e tyre të së keqes, ne nuk do t'i lejojmë! Do të jemi në ballë të protestave demokratike për të parandaluar këtë fatkeqësi kombëtare. Sot më shumë se kurrë vendi ndodhet në një udhëkryq shumë të rrezikshëm. Sot më shumë se kurrë e ardhmja jonë, e fëmijëve tanë dhe e të gjithë shqiptarëve që kërkojnë të rrojnë në liri dhe në një shtet ligjor e demokratik kërcënohet nga instalimi i një kaste kriminale që synon fare hapur të montojë një regjim diktatorial të një pakice të inkriminuar e të pleksur me interesat më të errëta ekonomike të tipit Gërdec, leje ndërtimi, Fazlliç e me radhë, në dëm të së ardhmes dhe interesave të ndershme të gjithë qytetarëve të këtij vendi", tha Meta. kreu i LSI-së e krahasoi situatën politike për nga rëndësia me atë të lëvizjeve studentore të dhjetorit 1990. "Sot më shumë se kurrë jemi përballë një momenti historik, i krahasueshëm për nga rëndësia me dhjetorin e vitit '90, kur populli shqiptar me në krye rininë studentore përmbysen një regjim totalitar, simptomat e të cilit janë ulur sot këmbëkryq mes nesh", tha Meta. Kreu i LSI-së akuzoi Ramën dhe Berishën se "kanë gjetur gjuhën e përbashkët për t'i vënë kazmën edhe zgjedhjeve të ardhshme, nëpërmjet një kodi zgjedhor të hartuar në ilegalitet të plotë, në mungesë totale të transparencës, ndërkohë që dihet botërisht se janë pikërisht ata shkatërruesit dhe fajtorët e vetëm të vjedhjes së votave dhe prishjes së zgjedhjeve në Shqipëri, në kundërshtim të hapur me rekomandimet e OSBE-ODIHR".