LSI, Meta takon misionin e ODIHR-it
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, takoi dje shefen e misionit të ODIHR-it. Gjatë këtij takimi, Meta dhe Glover diskutuan për problemet kryesore që hasen në realizimin e standardeve të zgjedhjeve të 28 qershorit. Meta tha se "kemi shkëmbyer mendime të ndryshme për problemet kryesore të standardeve të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe natyrisht ne kemi shprehur përsëri shqetësimin tonë për vështirësitë e mëdha që po hasin shqiptarët për t‘u pajisur me kartat e identitetit. Gjithashtu, tha Meta, kemi shprehur shqetësimin lidhur me transparencën e mediave dhe njëkohësisht me përpjekjen artificiale të dy forcave politike për të përjashtuar nga debatet në radhë të parë LSI-në, që tregon qartë një frikë nga mungesa e argumenteve për ballafaqimin për çështjet më të rëndësishme që ka vendi dhe që kanë qytetarët". Meta u shpreh se njëkohësisht gjatë takimit kemi treguar disponibilitetin tonë më të madh për të bashkëpunuar me OSBE-ODIHR. Gjithashtu, po dje, shefen e Misionit të ODIHR-it, Glover, e ka takuar edhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, dhe kanë diskutuar lidhur me mbarëvajtjen e zgjedhjeve.