E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosch: Financimi i partive, çështje kyçe e transparencës

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, deklaroi dje se Shqipërisë i nevojitet të zgjidhë sa më parë ngërçin politik dhe të nisë hartimin e reformës zgjedhore, tashmë që afrojnë edhe zgjedhjet lokale që zhvillohen vitin e ardhshëm.

Bosch, i cili ishte i pranishëm në konferencën e organizuar nga “Transparency International”, u ndal kryesisht në financimet e partive. Sipas Bosch “shkalla e informimit të publikut për përmasat dhe strukturën e buxhetit të partive politike është krejtësisht e pamjaftueshme. Ndërkohë që shumë parti politike europiane e publikojnë ‘online’ buxhetin dhe raportet buxhetore të tyre, kjo nuk ndodh në Shqipëri”. Ambasadori i OSBE-së insistoi se është me rëndësi thelbësore për të gjithë shqiptarët që të dinë burimet me të cilat partitë financojnë veten, si dhe si shpenzohen këto para. Duke u ndalur në propozimet konkrete për financimin e partive, diplomati holandez theksoi se “fondi shtetëror për partitë politike nuk duhet të ndahet në mënyrë jo të barabartë, duke i dhënë padrejtësisht përparësi partive parlamentare”. Bosch këmbënguli se është e nevojshme që të sigurohet deklarimi i të ardhurave dhe shpenzimeve të partive, në lidhje me financimin e fushatave, si dhe të specifikohen kriteret në bazë të të cilave KQZ-ja mund të kryejë në kohë verifikimet e duhura të raporteve financiare të partive politike. “Një tjetër çështje, që duhet konsideruar, është nevoja për të monitoruar më nga afër financimet private”, tha ai.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›