Kriza, Braçe dhe Majko ironizojnë Topin
Teksa kreu i shtetit, Bamir Topi, ka shtuar përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes mbi krizën politike, opozita ka ndryshuar qëndrimin. Deputeti Erion Braçe nuk ka hezituar dje që të largojë çdo dyshim apo supozim mbi këtë çështje që shihej si një hapësirë veprimi mes palëve. Madje, në adresë të Presidentit të Republikës, Braçe ka bërë një vlerësim ironizues që e sheh aktivitetin e institucionit si pjesë të nënrenditur të hobeve të Bamir Topit. “Do të doja ta linim rehat Presidentin e Republikës, pasi duke filluar nga sot kur është finalja e “Europa Ligës” dhe deri në fundjavë është një javë shumë e ngarkuar sportive dhe Presidenti duhet të jetë i ngarkuar maksimalisht”, është shprehur Braçe duke perifrazuar përfytyrimin e përgjithshëm të profilit njerëzor të kreut aktual të shtetit. Thuajse i njëjti vlerësim ka ardhur edhe nga deputeti Pandeli Majko, i cili gjatë një interviste televizive ka dhënë një konsideratë zhvlerësuese për vëmendjen e Presidentit ndaj situatës politike në vend. “Presidenti të paktën nuk duhet të bëjë atë që bëri së fundi kur shkoi në stadium për të festuar në një kohë kur kolegët e tij apo ish-kolegët, pak metra më tutje ishin ngujuar në grevë urie”, tha Majko. Kështu pas rreth 12 ditësh nga nisja e grevës së urisë, opozita po bën të ditur se institucioni i Presidentit të Republikës ka pushuar së luajturi një rol që buron nga detyrimet e tij kushtetuese. E parë në kontekstin e krizës politike ky qëndrim i ri publik i selisë rozë përveç një kritike serioze ndaj kreut të shtetit zbulon vullnetin real të opozitës për dialog. E mbërthyer pas skenarit të nisur prej vetë saj, duket se Partia Socialiste me grevën e urisë ka shpresuar të manifestojë një aksion moralisht imponues, por që logjikisht do të duhet të çonte drejt rifillimit të dialogut. Kritika e lindur nga ky pozicionim i deputetëve socialistë aktualisht eliminon apo e largon një opsion ndërmjetësimi që përndryshe duhet parë te komuniteti ndërkombëtar. Neutraliteti i këtij të fundit dhe apeli për një zgjidhje shqiptare të krizës, e vendosin Partinë Socialiste dhe qeverinë përpara përgjegjësive të reja si në raport me opinionin shqiptar ashtu edhe me komunitetin europian.
#