Gruaja që kërkoi ndihmë ndihet në faj
Eleni Fejzo, gruaja që kërkoi ndihmën e zjarrfikësve mbrëmjen e së martës ndihet keq kur kujton ngjarjen që çoi në humbjen e jetës së Edmond Meçkës. Ajo tregon se rreth orës 19:30 të dy ditëve më parë kishte dalë nga apartamenti që ndodhej në katin e tretë të një pallati 10-katësh, duke harruar pas derës çelësin. “Unë jetoj me familjen në Greqi, e burrin dhe dy djemtë i kam atje. Kam disa ditë që kam ardhur. Të martën dola nga shtëpia, por e kisha harruar ndezur sobën dhe televizorin. Nuk mendova se çelësi ishte pas dere. Fillimisht kërkova ndihmën e disa të njohurve dhe ata më sugjeruan t’u telefonoja zjarrfikësve. Ata erdhën shpejt dhe ndërsa po ngjitej me litar, Edmondi u rrëzua dhe ra pa ndjenja. Më vonë mora vesh se kishte vdekur”, thotë Eleni Fejzo. Gruaja thotë se do të ishte e lumtur nëse do t’i digjej shtëpia, por të shmangej tragjedia.
#