E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa e 1 Majit, qeveria shpenzoi 28 milionë lekë

Fatura

Mitingu festiv i organizuar nga qeveria më 1 maj ka kushtuar plot 28.2 milionë lekë të reja. Kjo është shuma që zyrtarisht qeveria u ka akorduar dy ministrive që u morën me organizimin e tubimit. Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, zëri “Projekte kulturore”, i shtohet fondi 8400000 lekë, për organizimin e veprimtarive kulturore, në kuadër të festës së 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve. Me vendim qeverie, Ministrisë së Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, zëri “Shpenzime operative”, i shtohet fondi 19800000 lekë për realizimin, prodhimin dhe transmetimin e spotit, publicitar dhe dokumentar, si dhe për përgatitjen e materialeve dekorative, e të tjera, në kuadër të festës së 1 Majit. Këto fonde thuhet se përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ky nuk përbën mitingun e parë me kosto të lartë për qeverinë. Ai i 8 dhjetorit, organizuar po nga ekzekutivi si përballje muskujsh me opozitën pati një kosto shumë të lartë, afro 1 milion dollarë. Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve iu dhanë 35000000 lekë, në zërin “projekte kulturore”, për organizimin e veprimtarive kulturore, në kuadër të 8 dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë. Ministria e Integrimit ka marrë 54175350 lekë për realizimin, prodhimin dhe transmetimin e spotit publicitar dhe dokumentar, e të tjera në kuadër të 8 Dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›