Bllokim rrugësh për ditë të tëra
Bllokimi i rrugëve kombëtare nga protestuesit opozitarë është një skenar që do të vijojë edhe në ditët në vijim, madje me intensitet të ri. Deputeti socialist, Fidel Ylli, ka deklaruar dje për mediat se hapat e ndërmarrë në mbështetje të grevës së urisë nuk do të ndalen deri në momentin që qeveria të marrë seriozisht në konsideratë kërkesat legjitime të opozitës. “Nuk lodhemi nga kauza do ta çojmë deri në fund me metoda demokratike pa dhunë...Nëse dje kemi bllokuar akset nacionale për 30 minuta në ditët në vazhdim do bllokojmë akset për 2 orë, 4 orë deri dhe me ditë të tëra... për t’i treguar pushtetit që duhet të ulet me opozitën, pasi kjo qeveri do të jetë përgjegjëse për pengimin e integrimit. Nuk është opozita që po pengon integrimin, por qeveria”, tha Ylli në një prononcim për mediat. Ky është ndoshta deklarimi i parë i përfaqësuesve të Partisë Socialiste që sqaron qoftë edhe pjesërisht atë përshkallëzim të mosbindjes civile që është paralajmëruar ditë më parë nga Edi Rama. Bllokimi i rrugëve nacionale mbetet një nga mjetet e forta të protestës së opozitës që deklarohet se do të jetë vetëm paqësore. Gjithsesi, prova e vërtetë politike e këtij skenari që po mban të angazhuar të gjithë vendin do të jetë pas 14 majit, kur është lajmëruar zhvillimi i një proteste të madhe.
#