E Diel, 1 Nëntor 2026

Lohan: Paqja mes armiqve, kusht për zgjidhjen e problemeve

Ndryshe nga ç’është bërë gjithë këto vite, asnjë përfaqësues i qeverisë shqiptare nuk ka folur dje në ceremoninë e “Ditës së Europës. Ky protokoll i Brukselit zyrtar ka qenë një mesazh i qartë për Tiranën, e cila ndodhet në një konflikt të ashpër politik, por edhe me probleme institucionale. Kreu i delegacionit të Komisionit Europian, Helmut Lohan, deklaroi dje në ceremoni se “Shqipërisë në rrugën e integrimit i nevojitet dialogu politik”.

Deklarata u bë në pritjen që Lohan organizoi me këtë rast, ku të ftuar ishin Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. “Për sa i përket Shqipërisë, më vijnë ndërmend arritjet konkrete që duhet të bëjë Shqipëria drejt BE-së. Kujtoj teorinë e Robert Schuman që flet për eliminimin e konfliktit midis armiqve të vjetër, si kusht për të zgjidhur edhe problemet e tanishme”, theksoi ai. Lohan u shpreh se nuk është rastësi se BE-ja thekson rëndësinë e dialogut politik e konstruktiv midis aktorëve dhe partive më të mëdha në vend. “BE, edhe në të kaluarën, por edhe tani, ka shumë shembuj se si ka ndihmuar dialogu për zgjidhjen e problemeve dhe zgjidhjen e krizave. Qoftë urtësia e Robert Schuman-it ajo që do të udhëheqë BE-në dhe Shqipërinë në të ardhmen”, tha Lohan.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›