TI, Marschall: Duhet konsensus kundër korrupsionit
Shqipëria ka nevojë për konsensus politik në kuadër të një lufte sa më efikase kundër korrupsionit. Ky ishte qëndrimi që mbajti dje drejtori ekzekutiv i “Transparency International”, për Europën dhe Azisë Qendrore, Miklos Marschall në një konferencë në Tiranë me Kryeministrin Berisha. Në konferencën e përbashkët me Berishën, Miklos Marschall u shpreh se ai ishte i impresionuar nga masat e marra nga qeveria në eliminimin e fenomenit të korrupsionit dhe për të nxitur ekonominë e vendit. Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv rajonal i “Transparency International” theksoi se në Shqipëria ka shumë probleme për sa i përket korrupsionit dhe se shpresonte se kjo luftë të gjente edhe një konsensus politik. “Unë shpresoj se elita politike në Shqipëri do të gjejë më në fund konsensus ndoshta rreth çështjes së korrupsionit dhe luftës kundër korrupsionit”, theksoi Miklos Marschall. Sipas tij, përveç vullnetit të politikës në këtë luftë, një rëndësi të veçantë kanë edhe reformat dhe kontrolli që shoqëria civile i bën proceseve publike. Kryeministri Berisha theksoi se ai kishte fituar betejën me korrupsionin, por lufta me këtë fenomen të rrezikshëm vijon ende. Sipas Berishës, arritjet e bëra deri tani në kuadër të korrupsionit kanë ardhur si rezultat i reformave të mëdha që qeveria ka ndërmarrë. “Reformat kanë bërë që qeveria ime të ketë fituar betejën dhe ndoshta edhe më shumë sesa betejën, por lufta mbetet për t’u fituar. Ajo çka është arritur deri më sot do të thotë se është plotësisht e mundur që shqiptarët të kenë të kthjellët një perspektivë tjetër dhe jo perspektivën e një shoqërie ryshfeti”, deklaroi Kryeministri. Por sipas Berishës, përveç përdorimit të gjithanshëm të reformave për zvogëlimin dhe parandalimin e këtij fenomeni, qeveria e ka shtrirë luftën e saj edhe në penalizimin e autorëve të korrupsionit. Kryeministri garantoi dje shqiptarët, se ai është i vendosur për të konsoliduar deri në fund suksesin e kësaj lufte, duke rritur edhe transparencën në çdo qelizë të veprimtarisë publike të vendit. Kreu i qeverisë foli edhe për piramidat financiare që kulmuan në Shqipëri në vitin 1997. Sipas Berishës, piramidat financiare mund të ndodhin në çdo vend dhe në çdo kohë dhe vijnë vetëm si rezultat i babëzisë. “Vehbi Alimuça dhe Matt Ridley, president i Northern Rock, drejtuan nga një piramidë respektive në vendin e tyre. I pari ishte një kapter i shkolluar diku pas kodrave të Zallherit, gjatë regjimit të Enver Hoxhës. I dyti vinte nga elitat, një nga elitat më të zhvilluara të botës. Ishte një pasardhës i Cambridge-ve apo Harvard- ve”, deklaroi Berisha, duke premtuar se ky ishte krahasimi i fundit që ai bënte për vendet e tjera për sa i përket korrupsionit.
#