E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ta bllokojmë Tiranën më 14 maj

Ngjela

Protesta e opozitës si akt i reagimit të përgjithshëm qytetar ka shpalosur tiparin e vet revolucionar te fjala e Spartak Ngjelës. Artikulimi i fortë dhe i drejtpërdrejtë, me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme, është bërë tanimë pjesë e tubimeve të pasdites prej nga ku ish-deputeti demokrat nuk ka hezituar që të bëjë thirrje për përmbysje të qeverisë. “Në datën 14 do marrë mësimin përfundimtar, të gjithë në Tiranë, me kuaj me karroca, me biçikleta me gjithçka, ta bllokojmë Tiranën në një protestë të madhe paqësore”, u shpreh dje Ngjela. Nëse verbalisht, apeli i tij synon nxitjen emocionale të protestuesve përmes shpalljes teorike të forcës së patreguar deri më tani të opozitës, teknikisht ai duket se zbulon edhe taktikën e përshkallëzimit të paralajmëruara nga Edi Rama. Bllokimi i Tiranës në një protestë të madhe si ajo e 14 majit ka gjasë të jetë pjesë e një skenari që priret ta projektojë tubimin si demonstrim force të mirëfilltë. “Perëndimi jeni ju që protestoni”, u është drejtuar dje Ngjela qytetarëve të pranishëm, duke nënvizuar se reagimi ndaj pushtetit që manipulon është emblema e qytetërimit europian që ka si shkallën më të lartë në hierarkinë e vlerave, lirinë. “Duhet luftuar shumë për lirinë”, ka vijuar ai. Në përputhje me stilin e tij dhe në funksion të fisnikërimit të kauzës së opozitës, Ngjela nuk ka munguar të kalojë në akuza të ashpra personale ndaj Kryeministrit, që është vizatuar si pengesa e integrimit. “Të mos trembemi nga një taleban si ky, përpara të gjithë. është i detyruar që 1 milion shqiptarëve t’i tregojë votat e tyre”, nënvizoi kreu i PLD-së.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›