Bosch: Kush thyen ligjet, të përballet me veprimin e shtetit
Ankesat e qytetarëve sarandjotë për zënien e plazheve publikë kanë sjellë në Sarandë kreun e prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch. Në një hotel të qytetit, diplomati holandez ka pasur një kafe pune me nënprefektin e Sarandës, Gjergji Mano, dhe drejtoren e zyrës së regjistrimit të pasurive, Viktori Peçi. Gjatë bisedës, Bosch është interesuar të dijë se përse lejohet të zihen nga privatët plazhet publike, çka ka sjellë që qytetarë e pushues të detyrohen të paguajnë në plazhet publike. Po kështu, ai është interesuar për impaktin e investimit të kryer nga OSBE për adresarin e qytetit dhe numërtimin e banesave, si dhe për projektin e regjistrimit të pronave në bregdet. Bosch tha se ankesa të shumta janë adresuar në zyrën e OSBE-së edhe për shembjet e kohëve të fundit në Ksamil e Sarandë. Ai ka qenë i prerë, duke thënë: "Organizata që unë përfaqësoj e ka parim veprimin e shtetit ligjor". Duke përsëritur tri herë radhazi këtë parim, ai u shpreh se i njëjti parim, ai i shtetit ligjor, duhet të veprojë si për objektet pa leje, edhe që të mos u zihen qytetarëve hapësirat e plazheve publike.
#