E Diel, 1 Nëntor 2026

Hazizaj: Kuvendi zhvilloi seancë denigrimi, dhe jo dëgjimi me gjyqtarët

Intervista Flet juristi i njohur, ish-deputeti Sokol Hazizaj: PS faktikisht gaboi me çomon

Juristi i njohur, Sokol Hazizaj, i cili ka qenë deputet, por edhe zv/ministër i Drejtësisë, i ka cilësuar si jo të rregullta procedurat e përzgjedhjes së tre anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga Kuvendi. Në një intervistë për “Shqip”, Hazizaj thekson se janë shkelur tre bazat që ofron kushtetueshmëria shqiptare...

Z.Hazizaj, si e konsideroni rrëzimin që Kuvendi i bëri një prej kandidatëve për në Gjykatën e Lartë para pak ditësh?

Sa i përket rrëzimit të njërës prej kandidaturave për në Gjykatën e Lartë, mund të them se mendimi im është dydimensional. Së pari mendoj se politikisht opozita konfiguroi gabim qëndrimin mohues nëpërmjet largimit nga salla e Kuvendit, duke i dhënë mundësi sjelljes politike të ish-partneres së saj, LSI-së, të justifikonte veprimin më të zgjuar politik që mund të ketë bërë ndonjëherë në jetën e saj. Proceduralisht gjithë procesi ishte i manipuluar dhe jo kushtetues, joligjor sa i përket vetëm mënyrës së procedimit të pyetjeve të kandidatëve në Komisionin Parlamentar, i cili u parapri dhe nga ndryshimi i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me votimin nominal.

Gjatë seancave dëgjimore u zhvillua një proces intensiv pyetjesh, ku nuk mungonin edhe konotacione politike. Cili është mendimi juaj për këtë procedurë si jurist i njohur, por edhe duke iu referuar përvojës suaj si parlamentar?

Duke mos dashur të hyj në rrugën e kritizerit të sëmurë, por dhe liberalit të theksuar, theksoj se së pari seanca dëgjimore nga njëra anë, dhe nga ana tjetër mënyra e realizimit të këtij procesi, ishte plotësisht politike. Në të vërtetë, procesi i pëlqimit në vështrimin kushtetues mbartte tre momente, të cilat janë: ligjor, moral dhe filozofik. Janë të tillë, sepse dhe e drejta jonë kushtetuese është e ndërthurur midis këtyre tre komponentëve. Nga një vështrim i detajuar mbi pyetjet në seancat dëgjimore, konkludon se asnjë nga to nuk mbarte elemente të karakterit ligjor dhe më tej. Ky fenomen përbën produktin, arsyen apo motivin kryesor të procesit të deformimit të Kushtetutës rreth dy vjet më parë. Në këtë kuptim theksoj se procesi i intervistimit të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese trajtohet dhe shërben më tepër si proces denigrimi dhe jo pëlqimi. Procedura e intervistimit, nisur nga informacioni mediatik, ishte larg të qenit morale dhe ligjore, për faktin e thjeshtë se shumë nga pyetjet ishin tërësisht të karakterit politik dhe tërësisht joetike dhe joligjore, ose të paragjykuara. Mjafton që të përmendësh fabulën që tre kandidatëve iu drejtua pyetja: Si ju duken vendimet e Gjykatës së Lartë? A janë të korruptuar gjykatësit? Në këto kushte, çdo lloj përgjigje e të kandiduarit prej Presidentit të Republikës, do të ishte shumë me dhimbje, sepse në thelb të tre ata e dinin se i vetmi mjet verifikues në pushtetin gjyqësor është vetë hierarkia e shkallëve të gjykimit. Gjithashtu, në vështrimin kushtetues, procesi i pyetjeve ishte tërësisht jo kushtetues, sepse intervistimi nuk kishte asgjë të përbashkët me ndarjen dhe ekuilibrin e pushteteve, dhe me vetë formën dhe mënyrën e funksionimit të pushtetit legjislativ. Ajo për të cilën duhet të ndërgjegjësohemi mirë sot dhe sa do të jetojë kjo Kushtetutë (në qoftë se nuk e ndryshojnë më?!) është kuptimi mbi rolin themelor ligjvënës që ka Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa procesi i emërimit në institucionet kushtetuese konsiderohet si rast përjashtimor, që do të thotë se në rastin e parë pjesëmarrja e deputetëve në miratimin e akteve ligjore është e rëndësishme, në rastin e dytë kontributi i të gjithëve është i domosdoshëm për shkak të mekanizmit “check and balance” dhe pavarësisë që krijojnë nga Kuvendi institucionet mbas krijimit të tyre. Në një vështrim tjetër, nisur nga mënyra se si u procedua, kandidatëve iu deformua sadopak dhe personaliteti i tyre, duke iu vendosur një mbiemër i natyrës partiake ose politike, ndryshe nga ai ligjori që kanë pasur deri tani. Procesi i të intervistuarit në komisionin parlamentar ishte tërësisht politik, dhe nuk duhet të kihet frikë për t’u pranuar edhe nga vetë deputetët, sepse në thelb dhe reagimi midis opozitës dhe pozitës ishte gjithashtu politik. Në mos gaboj, krijimi i këtij ngërçi të ashtuquajtur ligjor e gjeti zanafillën në krijimin e një bordi juristësh ose këshilltarësh pranë Presidentit të Republikës, të cilët bënin ose bëjnë sikur marrin pjesë në përzgjedhjen e kritereve apo kandidaturave më të mira për propozimet e Presidentit të Republikës në Gjykatën e Lartë ose në Gjykatën Kushtetuese, kur Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet organike të funksionimit të tyre i plotësojnë të gjitha detyrimet që ka Presidenti i Republikës në përzgjedhjen e kandidaturave. Vetëm në këtë lloj formati vështrues seanca e intervistimit është e justifikuar, ndërsa në çdo lloj kuptimi tjetër moral dhe ligjor ky proces ka karakter thjesht informal dhe jo kushtetues.

Gjykata e Lartë mbetet e bllokuar pasi ka tre vende vakante, ndërsa e njëjta panoramë është në Gjykatën Kushtetuese, ku i ka mbaruar mandati edhe kryetarit. Sipas gjasave, kjo gjendje do të vazhdojë gjatë dhe cila do të ishte rrugëdalja?

Gjykata e Lartë funksionon edhe në këto kushte. E vetmja pengesë lidhet vetëm me eficencën e realizimit efektiv dhe në kohë të shpejtë të gjykimit. Ndërsa sa i përket mënyrës së funksionimit dhe realizimit të proceseve tërësisht ligjore, mungesa e tre anëtarëve të saj nuk ndikon shumë. Ndërsa sa i përket mandatit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ky është diskutim i karakterit teorik dhe doktrinar, sa i përket vendimmarrjes dhe fuqisë së vendimeve të marra nga një trup gjyqtarësh, të cilëve u ka mbaruar mandati ligjor. Për këtë arsye, sërish theksoj se në frymën ligjore, Kuvendi i Shqipërisë duhet t’i imponohet Presidentit të Republikës të bëjë zgjedhjen e duhur brenda afateve ligjore të duhura. Jam i bindur se në asnjë vend tjetër me demokraci dhe të brishtë nuk do të ndodhnin këto fenomene “ligjore” si në vendin tonë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›