E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Dëshmitari i Kasharit u vetëvra

Policia e Tiranës në mënyrë përfundimtare e ka konsideruar dje vetëvrasje vdekjen e Gani Kamberit, dëshmitar i abuzimeve me tokat në Kashar. 

Dashamir Biçaku

Përmes një deklarate zyrtare për shtyp, policia e kryeqytetit i konsideroi dashakeqe raportimet e medias për mundësinë e vrasjes së Gani Kamberit, 50 vjeç nga Kashari. Që më 13 nëntor 2007 kur ndodhi ngjarja, policia tha se vdekja e Gani Kamberit është referuar si “shkaktim vetëvrasje”, i vetmi përcaktim ligjor në Shqipëri, mbi bazën e të cilit hetohen vetëvrasjet. Përsëritja e ekzaminimit të kufomës nga ekspertët mjeko-ligjorë, sipas policisë, ka konfirmuar vetëvrasjen e 50-vjeçarit Gani Kamberi pranë rezervuarit të fshatit Kashar. Mirëpo Mjekësia-Ligjore zyrtarisht ka deklaruar se ende nuk ka përfunduar ekspertimin e trupit të zhvarrosur dhe se një përgjigje e saktë për këtë do të jetë të hënën. Sipas policisë, viktima nuk ka qenë denoncuesi i vetëm dhe kryesor për skandalin e vjedhjes dhe mbivendosjes së tokave në Kashar. Katër ditë pas zhvarrimit të trupit të Gani Kamberit, policia e Tiranës ka dalë publikisht duke dhënë një version për ngjarjen e 13 nëntorit 2007, kur Kamberi u gjet i vdekur me një plumb në kokë. Sipas policisë, zhvarrimi ka pasur qëllim riekspertimin për të përcaktuar shkakun e vdekjes së 50-vjeçarit.
Hetimi
Sipas policisë, pavarësisht se ngjarja është konkluduar se ishte vetëvrasje, në bazë të akteve fotografike, aktit të autopsisë, këqyrjes së vendit të ngjarjes e veprimeve të tjera në Prokurori, ajo është referuar si shkaktim i vetëvrasjes, duke nënkuptuar fajësinë e personave të tjerë në këtë ngjarje. Si shkak të vetëvrasjes policia ka përmendur konfliktet e viktimës për motive pronësie me personat që po përpiqeshin t’i merrnin tokat përmes falsifikimeve. Policia renditi në hetimet e saj edhe versionin e një vetëvrasje për motive familjare. Organet e rendit thanë se të gjitha veprimet hetimore që janë bërë në vendin ku është gjetur i vdekur Gani Kamberi, janë kryer me praninë e një prokurori të gatshëm të kryeqytetit. Sipas policisë, hetuesit kanë gjetur në dorën e djathë të viktimës, faktorët plotësues të qitjes me armë zjarri. Nga ana tjetër, edhe drejtimi hyrës i predhës dhe vrima dalëse në pjesën e sipërme të kokës në krahun e majtë, sipas policisë tregojnë se bëhet fjalë për vetëvrasje. Të afërmit e Gani Kamberit dhe bashkëshortja e tij, sipas policisë, kanë ngritur pretendimet e tyre që në muajin dhjetor, kur janë shprehur për një vrasje të mundshme të 50-vjeçarit, duke thënë se vdekja e tij nuk ishte vetëvrasje. Policia tha se pas pretendimeve të familjarëve të viktimës, oficerët e hetimit të vrasjeve në muajin dhjetor kanë marrë deklarimet e tyre dhe kanë kryer hetime të tjera, që nuk janë bërë shkak për një klasifikim të ri të ngjarjes.

ZHVARRIMI
Të mërkurën e kësaj jave, ekspertët mjeko-ligjorë të shoqëruar nga policia dhe një prokuror, kanë kryer zhvarrimin e trupit të Gani Kamberit, në fshatin Kashar. Qëllimi ishte të kryhej riekspertimi i trupit të tij, për të zbuluar shkakun e vdekjes së 50-vjeçarit nga fshati Kashar i Tiranës.

VDEKJA
Gani Kamberi, i vrarë më 13 nëntor të vitit të kaluar, për të cilin policia ka konkluduar se është vetëvrarë, ka qenë një ndër denoncuesit e skandalit të manipulimit të hartave dhe mbivendosjes së pronave në fshatin Kashar. Të akuzuar për këtë janë ish-drejtuesit e komunës, tashmë të arrestuar për këtë veprimtari.

Kashari, enigmat e vdekjes së Gani Kamberit

TIRANE – Versioni i një vetëvrasje të mundshme të Gani Kamberit, 50 vjeç nga Kashari, është mbështetur nga Prokuroria e Tiranës. Pas dyshimeve për vrasje, kjo e fundit urdhëroi policinë të zhvarroste trupin e viktimës dhe të verifikonte me imtësi mekanizmin që i kishte shkaktuar vdekjen 50-vjeçarit. Bashkë me urdhrin e zhvarrimit të Gani Kamberit, Prokuroria i kërkoi policisë ripyetjen e familjarëve të viktimës dhe disa personave të tjerë, konkretisht 26 dëshmitarë. Mes këtyre dëshmitarëve ndodhen edhe katër persona, me të cilët Gani Kamberi para se të gjendej i vdekur ka pasur konflikte, kërcënime e deri në konfrontime fizike për shkak të vjedhjes së tokave në pronësi të tij. Për këtë gjë, Gani Kamberi ishte ankuar në komunën e Kasharit e më pas kishte bërë denoncim në policinë e Tiranës dhe në Prokurori. Ai vdiq vetëm tri ditë pasi kishte dëshmuar në Prokurori, ku kishte dërguar edhe dokumente e prova që tregonin abuzimet me 9 hektarë tokë në pronësi të tij, e cila ishte shitur tek persona të tjerë përmes falsifikimeve. Mjekësia Ligjore ka deklaruar se rezultatet e riekspertimit pas zhvarrosjes së kufomës dalin të hënën, ndërsa Prokuroria thotë se viktimës nuk i janë marrë gjurmët e gishtave nga policia, në mënyrë që ato të verifikoheshin nëse kishin mbetur në armën që u gjet pranë kufomës së Gani Kamberit.       t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›