E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosch: OSBE dënon cdo formë dhune ndaj medias

TIRANË- Kreu i Prezencës së OSBE në Shqipëri, Ambasadori Robert Bosch, dënoi sot sulmin e dhunshëm ndaj kryeredaktorit të gazetës “Tema” Mero Baze. "Ne i dënojmë të gjitha format e dhunës fizike, veçanërisht sulmet që kanë si objekt median. Gjithë gazetarët, pavarësisht nga qendrimet e tyre politike, duhet të lejohen të kryejnë detyrën e tyre të përditshme pa frikën e raprezaljeve fizike," tha Bosch. Liria e medias është një parim kyc i një shoqërie moderne demokratike dhe të lirë, u shpreh diplomati Bosh, i cili mbështeti reagimet e bëra nga presidenti dhe kryeministri shqiptar. Bosh inkurajon fort autoritetet përkatëse vendase që të nxjerrin para drejtësisë personat që janë përgjegjës për kryerjen e këtij akti serioz.
Për sulmin fizik ndaj gazetarit Mero Baze kanë reaguar më herët edhe Ambasada Amerikane, presidenti dhe krzeministri i vendit si dhe kreu i selisë rozë, Edi Rama.
Në deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës theksohet se sulmet fizike ndaj gazetarëve dhe forma të tjera të kanosjes së medias errësojnë lirinë e shtypit.

“Të gjitha format e presionit dhe kanosjes ndaj medias janë të papranueshme. Ambasada mbështet dënimin nga ana e Qeverisë së Shqipërisë të këtij akti dhe përkrah thirrjen e Kryeministrit që autoritetet përkatëse të kryejnë një hetim të plotë dhe të shpejtë të këtij incidenti dhe që ata që janë përgjegjës të japin llogari” thuhet në deklaratë.

"Mbrëme u bë nje sulm gjakatar ndaj një gazetari nga klienti i familjes në pushtet theksoi Rama gjatë një konference për mediat.
Rama nënvizoi se vendi ka mbetur pa qeveri dhe gjykata, ndërsa sipas tij kryeministri Berisha u jep imunitet agresorëve.
Kryetari socialist i bëri thirrje kreut të shtetit të mos heshtë kundrejt rasteve të tilla por të reagojë për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat e medias, duke mos u pajtuar , sic tha ai me gjakosjen e një gazetari vetëm sepse denoncon korrupsionin e qeverisë.

Kryeministri Berisha ka reaguar sot përmes zëdhënëses së tij Juela Mecani ndaj dhunës së ushtruar mbrëmjen e së hënës ndaj gazetarit Mero Baze.

Në njoftimin për shtyp citohet se “Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha dënon me ashpërsinë më të madhe rrahjen dhe lëndimin e gazetarit Mero Baze, në një nga lokalet e kryeqytetit mbrëmë, si një akt të shëmtuar, të rëndë dhe të papranueshëm për shoqërinë e lirë”.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›