Bosch: PS-PD premtuan, Kodi miratohet në nëntor
BLEDAR HOTI
OSBE-ja pret që ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor të miratohen në fillim të muajit nëntor. Ky është vlerësimi që dha kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch gjatë një prononcimi për “Panorama”, ku u shpreh se “e kanë siguruar që reforma të miratohet në Kuvend në muajin nëntor”. Duket se vonesa dhe përplasjet që janë konstatuar kohët e fundit për çështjet e ndryshme, kanë shqetësuar dhe ndërkombëtarët, të cilët kërkojnë realizimin sa më të shpejtë të saj brenda këtij muaji. Ambasadori Bosch ka bërë të ditur, se ka pasur dhe takime me drejtuesit e komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, Fatmir Xhafaj të PS-së dhe Ilir Rusmali të PD-së. “Ditën e pardjeshme pata një takim me drejtuesit e komisionit të Posaçëm dhe më siguruan, që do të jetë në Parlament në javën e parë të muajit nëntor. Kështu që mbetem optimist”, deklaroi Bosch. Ambasadori beson në fjalën e dhënë nga ana e dy bashkëdrejtuesve të komisionit për votimin e paketës së reformës elektorale. “Mendoj që po, përderisa ata më siguruan, sigurisht që e besoj, duhet ta besoj”, theksoi Bosch.
Takimi i ekspertëve
Ekspertët e PS-së dhe PD-së, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, së bashku me zv.ministrin Viktor Gumi, kanë zhvilluar dje një takim të përbashkët në lidhje çështjen e reformës zgjedhore në vend. Grupi i ekspertëve kanë bërë konsultat e tyre disa orëshe në lidhje me çështjet e mbetura pezull për reformën, siç janë ndarja e mandateve, llogaritja e mandateve shtesë, si dhe ndarja e numrit të deputetëve sipas zonave. Pritet që në ditët në vijim ekspertët të vazhdojnë kontaktet e tyre për arritjen e konsensusit në limitin e fundit. Ndërsa ekspertët kanë rënë dakord për të provuar një skemë të re për procesin e numërimit të votave. Dy partitë e mëdha kanë rënë dakord, që procesi i numërimit të votave të filmohet. Metoda e re që pritet të paraqitet në komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore. Një fakt të tillë e konfirmoi për “Panorama” dhe bashkëkryetari i komisionit, Ilir Rusmali. Sipas projektit, të diskutuar ndërmjet ekspertëve socialistë dhe demokratë “çdo votë që numërohet drejtohet në kamera dhe ajo shfaqet në monitor”. Palët e interesuara edhe nëse nuk janë të përfaqësuara në grupet e numërimit do të kenë mundësi, që përmes monitorit të kontrollojnë çdo votë gjatë numërimit. I gjithë procesi i numërimit do të regjistrohet dhe nëse partitë politike do të kenë kontestime atëherë kasetat filmike do t’i shkojnë përpara Gjykatës për verifikim.
Për raportin
Ambasadori Bosch, ndërkohë nuk ka dhënë ndonjë vlerësim krahasues ndërmjet raporteve të OSBE-së, të 2007 dhe 2008, nëse ka përparim të Shqipërisë ose jo. “Nuk kam se si të jap ndonjë mendim për këtë, unë kam nisur punë në nëntor të vitit të kaluar, kështu nuk mund të bëj ndonjë vlerësim krahasues”, deklaroi Bosch. Në raportin vjetor të OSBE-së shprehej shqetësimi në lidhje me disa ligje të reja, që ekzekutivi kishte paraqitur për sistemin e drejtësisë, si ai për “Prokurorinë e Përgjithshme”, “Administratën gjyqësore”. Sipas raportit vjetor, në këto synime ekzekutivi kërkon të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë.
Konsensus i gjerë për Kodin
Në raportin vjetor të OSBE-së kërkohet arritja e një konsensusi sa më të gjerë për Kodin e ri Elektoral. Në raportin e paraqitur në Vjenë. “Duhet kërkuar konsensusi më i gjerë i mundshëm dhe paketa për të cilën do të bihet përfundimisht dakord duhet të lejojë kohë të mjaftueshme për administrimin e suksesshëm të zgjedhjeve”, thuhet në raport.
Mandatet pa fund të Komisionit
Komisioni i Reformës Zgjedhore prej më se katër mandatesh nuk ka realizuar miratimin e një pakete të plotë ligjore të reformës. Shkak janë bërë përplasjet politike mes PS-së dhe PD-së për çështje të ndryshme, çka sollën shtyrjen e njëpasnjëshme të mandateve të komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore.