Zogaj: Pollo e Ceka në PD, jo sipas parimit më mirë vonë se herët
Kandidimi i Besnik Mustafajt në Tiranë tregon se ky proces nuk është i paravendosur, ashtu siç shihet nga jashtë. Kështu është shprehur dje deputeti i PD-së, Preç Zogaj, gjatë një interviste televizive. Sipas tij, “kandidimi i tij i ka dhënë kuptim garës, pasi shumë vetë mendojnë se PD-ja i ka të paravendosura, nuk ka të papritura, çdo gjë e ka të paravendosur, ajo që shihet është thjesht një manifestim rutinor i asaj që është vendosur në zyra. Kandidimi i Mustafajt e ka gjallëruar vetë garën”. I pyetur se kë do të votonte mes ish-ministrit të Jashtëm dhe drejtorit aktual të KESH-it për kreun e PD-së së kryeqytetit, Zogaj tha se “unë kam respekt për Gjergj Bojaxhi. Kjo pyetje s’mund të më bëhet, pasi unë jam mik i afërt i Besnik Mustafajt. Sa kohë që Besniku do kandidojë duke i dhënë një impuls pozitiv jetës së partisë, nuk do kisha asnjë problem për të votuar, por Gjergj Bojaxhi është një personazh i respektuar dhe një garë mes tyre do t’i bënte nder PD-së së Tiranës. Duke komentuar kthimin e të larguarve kohë më parë nga PD-ja, si Genc Pollo e Neritan Ceka, deputeti demokrat tha se do të ishte paradoks që rikthimi i tyre të mënjanonte figurat që kanë ardhur më parë. “Ne kemi një shprehje popullore ‘më mirë vonë se kurrë’. Unë si një nga të parët e rikthyer e kam mbrojtur me forcë idenë e rikthimit. Por do ishte paradoks që kjo shprehje të eklipsohej dhe të themi ‘më mirë vonë se herët’. Kjo është pa kuptim. Rikthimi i këtyre që po vijnë tani nuk duhet të mënjanojë të tjerë që e kanë bërë këtë hap më parë, pasi rikthimi nuk do lexohej më si një vlerë, por si një interes meskin. Jo të gjithë kanë ikur nga PD-ja për interesa vetjake dhe jo të gjithë janë kthyer për interesa vetjake”, theksoi Zogaj. Në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Jashtëm, ai komentoi edhe ngërçin Qeveri-Presidencë për sa i përket dekretimit të ambasadorëve. “Duhet të ketë një koordinim më të mirë mes institucioneve. Për çështjen e ambasadorëve nuk duhet të vijojmë kështu, gjithsekush në parcelën e vet, se kjo s’mund të shkojë kështu. Kemi probleme, kështu që është e domosdoshme që të ketë një koordinim më të mirë, qoftë edhe përpara se të propozohen”, tha Zogaj.