E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosch: Palët të nisin negociatat sekrete

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë bën thirrje për dialog politik

Pas Brukselit dhe Strasburgut ka ardhur menjëherë qëndrimi i një tjetri aktori të rëndësishëm ndërkombëtar në lidhje me krizën politike në Shqipëri. Ka qenë Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, i cili ka kërkuar që menjëherë pas miratimit të rezolutës nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, mazhoranca dhe opozita duhet të nisin menjëherë negociatat. Madje, diplomati veteran nga Holanda ka sugjeruar edhe mënyrën e negociatave, që mund të jenë me dyer të mbyllura dhe të bëhen publike vetëm kur të arrihet kompromisi. “Mendoj se Projektrezoluta e Këshillit të Europës, e cila shpresojmë se do të pranohet këtë javë në Strasburg, do të krijojë një situatë, ku partitë mund të mblidhen së bashku. Jam i gëzuar me reagimet pozitive të deritanishme ndaj sugjerimit nga të dyja palët, që është gjë e mirë. Tani thjesht duhet të merren hapa të tjerë nga të dyja palët”, deklaroi ambasadori Bosch pas një takimi ku OSBE ka kërkuar nga politika që të mos i bëjë presion medias. Diplomati holandez që drejton prej dy vjetësh përfaqësinë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, i njohur tashmë për metaforat që përdor në deklaratat e tij theksoi se konfrontimi politik nuk mund të jetë si një ndeshje futbolli.
“Nëse kemi dy grupe apo palë që kanë opinione të ndryshme, duhet arritur një lloj kompromisi, se nuk është një lojë futbolli që mund të ketë një fitues, madje, këtu, për hir të interesave të vendit, nuk duhet të ketë në fakt as dy fitues, por fitues duhen të jenë të gjithë 3.5 milionë njerëzit që jetojnë në këtë vend. është në të mirë të vendit që të kërkohet një kompromis, në përputhje me sugjerimin e bërë nga Këshilli i Europës”, deklaroi ambasadori Bosch. Kreu i Prezencës së OSBE-së, siç duket për t’ua bërë më të lehtë detyrën dy aktorëve kryesorë politikë u ka dhënë të gatshme edhe formulën, kur ka deklaruar: “Mendoj se kjo është politikë e një niveli të lartë dhe politika e nivelit të lartë nuk është e hapur për të gjithë. Sigurisht, politika është mirë të jetë e hapur për të gjithë, por ndonjëherë gjëra të caktuara është mirë të bëhen, deri në njëfarë mase, me dyer të mbyllura, për arritjen e një kompromisi”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›