Edi Rama: Zgjidhja është afër
Aristir Lumezi
Kreu socialist tha dje se zgjidhja është tashmë shumë afër dhe se kauza e tyre po triumfon. Në ditën e 14 të grevës së urisë së 200 deputetëve dhe mbështetësve të PS, opozita organizoi dje protestën e saj të tretë që prej 30 prillit. Kryesocialisti shprehu vendosmërinë e opozitës për të mos u gjunjëzuar e për të çuar deri në fund kauzën për transparencë, e cila siç tha Rama, po përparon çdo ditë e më shumë drejt zgjidhjes. "Do të rezistojmë me kurajë e durim pa thyer asnjë xham e pa këputur asnjë lule. Kurrë nuk kam besuar tek dhuna dhe kurrë nuk do të dyshoj tek rezistenca paqësore si e vetmja rrugë për t'i hapur rrugë të mirës. Zëri ynë po dëgjohet, kauza jonë po përparon, zgjidhja është sot më afër se asnjëherë në këta 9 muaj", u shpreh lideri i opozitës përpara mbështetësve të shumtë, që ju bashkuan dje protestës së opozitës. Gjatë fjalës së tij, turma e të rinjve të ardhur nga Shkodra në mënyrë të përsëritur ka provokuar policinë, që e vendosur në disa rreshta, qëndronte para godinës së Kryeministrisë. Rama u ka kërkuar protestuesve të mos provokojnë dhe të mos sulmojnë policët, pasi sipas tij, ata janë nëpunës të shtetit dhe duhet të kuptojnë kauzën e opozitës për të mos u kthyer në vegla të pushtetit. Duke u bërë thirrje forcave të policisë të veprojnë sipas Kushtetutës pa u bërë mjet i interesave të pushtetit, Rama tha se populli do të arrijë tek e ardhmja e dëshiruar pa thyer asnjë xham e pa këputur asnjë lule. Kreu socialist u bëri thirrje drejtuesve të policisë që të mos shkelin të drejtat e protestuesve, duke zbatuar urdhrat e pushtetit. "Kur Qeveria merr votën edhe po nuk ia dhanë, kthehet në një regjim që pasuron veten duke varfëruar popullin", u shpreh Rama, duke theksuar se Shqipëria është zhytur në varfëri dhe se papunësia është në rritje. Rama deklaroi se protesta e opozitës është një shprehje e qytetërimit, që shënon pikën e kthesës për të ardhmen dhe për një të nesërme më të mirë. "Kjo nuk është një luftë mes dy palësh, por një përplasje mes dy botësh. Ne jemi bota e lirë e njerëzve që kërkojmë lirinë për të zgjedhur dhe për të punuar si të barabartë", u shpreh Rama. Duke folur për grevën e urisë që po hyn në ditën e 15-të të saj, Rama theksoi se rruga e së vërtetës është e vështirë dhe e mundimshme, sidomos kur përballet me pushtet si ky që po vepron në Shqipëri. "Fitorja e kauzës sonë është shumë më afër, seç ishte dy javë më parë, arritja e qëllimit tonë është shumë më pranë, ndaj ashtu siç e keni demonstruar kurajën për të rezistuar duhet të vazhdoni ta demonstroni të gjithë bashkë. është koha për zgjidhje. Askush të mos mendojë se ne do të thyhemi, ne nuk lëvizim prej këtej, sepse ajo që ne kërkojmë është interesi ynë kombëtar, interesi i çdo qytetari. Kjo është një betejë për Shqipërinë e re, për ta çliruar vendin nga kthetrat e korrupsionit, është një betejë për vendin tonë, ku populli zgjedh ata që do ta qeverisin", u shpreh Rama. Fundi i protestës së djeshme ishte mallëngjyes për kryesocialistin. Pas fjalës së tij, grevistët u dhuruan gjithë protestuesve, të cilët i kanë mbështetur në këto 14 ditë një buqetë të madhe, ku ftuan dhe Ramën të jetë pjesë e tyre. Por Rama nuk rezistoi shumë minuta, dhe u largua nga ky ceremonial i mallëngjyer në lot nga grevistët dhe mbështetja e njerëzve.
Xhafaj: Pa transparencë, nuk njohim Qeverinë
Deputeti socialist i futur në grevën e urisë, Fatmir Xhafaj, shprehu vendosmërinë për çuarjen deri në fund të betejës së nisur prej 14 ditësh para selisë së Kryeministrisë. "Askush të mos mendojë se ne do të tërhiqemi nga kjo rrugë dhe do të bëjmë lëshime. Të gjithë duhet të kuptojmë se Berisha nuk mund të vazhdojë më në këtë rrugë që ka nisur", u shpreh Xhafaj. Sipas tij, "nëse Berisha nuk na pranon kërkesën tonë, atëherë kjo na detyron që ne të mos e njohim më këtë Qeveri dhe të kërkojmë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme", u shpreh Xhafaj, duke theksuar se socialistët janë të gatshëm të negociojnë.
Basha vëzhgon nga tarraca e Kryeministrisë
Ndërsa pritej të fillonte protesta e opozitës, në tarracën e godinës së Kryeministrisë është parë ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, i cili ka parë nga lartësia pjesëmarrjen e njerëzve në protestë. Por prania e tij kishte të bënte dje edhe me masat e policisë për mbarëvajtjen e protestës. Opozita kishte paralajmëruar një ditë më parë se protesta e saj do të përshkallëzohej. Në fakt policia, edhe pse u provokua në disa raste nga një grup protestuesish, nuk ndërhyri, duke mos shënuar asnjë rast konfrontimi apo përplasjeje me protestuesit e shumtë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit".