E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosch: Qeveria dhe opozita të përdorin një gjuhë më të butë

 

Në ditën ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, OSBE i bën thirrje qeverisë dhe opozitës të përdorin një gjuhë më të butë ndaj njera tjetrës. Në një pritje të shtruar në hotel “Sheraton”, ambasadori i Misionit të OSBE, Robert Bosch tha se qeverisë i takon të parës të bashkojë të gjithë aktorët, ndërsa opozita duhet të luajë një rol konstruktiv. “Dy vetë nuk zgjasin shumë si çift vallëzimi, nëse nuk flasin me mirësjellje me njëri-tjetrin – prandaj është koha për një gjuhë më të butë! Aktorët politikë duhet të shfaqin një vullnet dhe pjekuri më të madhe politike, për të garantuar ekzistencën e kushteve për vazhdimin e procesit të reformave me ritmin që i shkon për shtat një vendi me aspirata të mirënjohura integruese. Një vullnet i tillë dhe një pjekuri e tillë është demonstruar tashmë se mund të arrihen. I takon tashmë qeverisë në radhë të parë të bëjë përpara e të sjellë gjithë aktorët së bashku. Përveç kësaj, kjo do të thotë edhe se opozita duhet të luajë një rol konstruktiv”, tha ambasadori Bosch. Ai bëri thirrje gjithashtu, për pavarësinë e gjyqësorit nga politika dhe për luftë kundër korrupsionit. “Duhet të shohim një zhvillim të mëtejshëm të pushtetit gjyqësor, si një institucion plotësisht i pavarur dhe i lirë nga ndërhyrjet politike, si dhe forcimin e mëtejshëm të ndarjes kushtetuese të pushteteve. Së fundi, duhet të shohim një fushatë më të përqendruar dhe të fokusuar në luftën kundër korrupsionit, duke respektuar shtetin e së drejtës, pasi nivelet aktuale mbeten të larta”, theksoi më tej Bosch. Megjithatë, sipas tij në vitin 2009 është shënuar progres përsa i përket zgjedhjeve të përgjithshme, shtetit të së drejtës dhe reformës në polici.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›