Çanta me vegla pune alarmon policinë
TIRANE - Një valixhe e braktisur në afërsi të "Frigoriferit", tek rruga "Siri Kodra" në Tiranë, ka larmuar forcat e policisë, duke dyshuar se mund të kishte lëndë plasëse. Oficerë të Antiterrorit dhe të Krimeve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, kanë rrethuar mbrëmë rreth orës 19:00 zonën përreth valixhes, duke mos lejuar asnjë banor që të afrohej, deri në ekzaminimin e saj. Për gati një orë policia ka qëndruar në vendin e ngjarjes, deri sa më pas ka vendosur të marrë valixhen. Sipas burimeve nga policia mësohet se në valixhe ndodheshin disa vegla pune elektriçisti ose radiotekniku. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar personat që mund ta kenë lënë valixhen, me qëllim për të përhapur panik, apo gjithçka mund të ketë qenë aksidentale. Deri në orët e vona të mbrëmjes janë shoqëruar disa persona për t'u marrë në pyetje rreth ngjarjes.