Pretenca, Krimet e Rënda: Burg përjetë vrasësit të policëve
TIRANE - Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi dje nga gjykata mbylljen përjetë në qeli të Afrim Hasanit, të akuzuarin si vrasës i dy punonjësve të policisë të Kukësit në mars të këtij viti. Sipas organit të akuzës, rezulton i provuar fakti se autori i ekzekutimit me armë zjarri të policëve Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila në fshatin Shën Mëri të Kukësit në 23 mars të vitit 2009 është i pandehuri Hasani. "Kërkojmë të dënohet përfundimisht për të gjithë veprat penale për të cilat akuzohet me burgim të përjetshëm", u shpreh dje para gjykatës, përfaqësuesi i organit të akuzës në këtë çështje, prokurori Ardian Nezha. Ndërsa vetë Hasani nuk ishte prezent dje në seancë dhe përfaqësohej nga avokati i tij, prokurori paraqiti para Gjykatës për Krimet e Rënda konkluzionet përfundimtare të organit të akuzës. Sipas prokurorisë, ngjarja ka ardhur si "hakmarrje me gjakftohtësi kriminale" e të pandehurit Hasani ndaj dy policëve për shkak të një kallëzimi të bërë ndaj tij prej tyre. "Rrethanat dhe provat e grumbulluara provojnë faktin se pandehuri Afrim Hasani ngjarjen e datës 23 mars 2009, vrasjen e dy punonjësve të policisë së Qarkut Kukës viktimave Shkëlzen Dobrushi dhe Ramdan Hila e ka kryer i shtyrë nga fakti se dy efektivat e policisë duke qenë në krye të detyrës janë kundërshtuar me dhunë prej tij dhe për këtë motiv ata e kane kallëzuar Afrimin në Prokurori për veprën penale të "Kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë". Ne një situate të tillë i pandehuri Afrim ka vendosur të hakmerret dhe me gjakftohtësi kriminale ka vrarë me arme zjarri, dy efektivat e policisë të cilët ditën e ngjarjes kanë qenë në krye të detyrës të veshur me uniformë policie dhe janë viktimizuar vetëm për faktin se nuk janë tërhequr përballë detyrës funksionale që atyre u jep dhe u garanton ligji", thuhej në konkluzionet e prokurorisë. Prokuroria kërkoi dje deklarimin fajtor të Hasanit për veprat penale të "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese" ndaj policit dhe ndaj kallëzuesit të krimit, "kundërshtimit të punonjësit të policisë", "mbajtjes pa leje të armëve luftarake" dhe të "shkatërrimit të provës". ar.ba