Gjyqtarët: Statuti peng i Beçajt
Fatos Mahmutaj
Kryetarja e Gjykatës së Lartë duket se po mban pezull grupin e punës që do përgatitë draftin e statutit për Konferencën e Gjyqtarëve. Burime zyrtare të Gjykatës së Lartë thanë dje se kryetarja Shpresa Beçaj, e cila për shkak të detyrës mban edhe postin e kreut të Konferencës Gjyqësore, deri pasditen e djeshme nuk kishte përcaktuar ende emrat e anëtarëve të grupit të punës që do të përgatisë projekt-statutin e KGJK-së. Për më tepër Beçaj nuk ka përcaktuar asnjë datë për diskutimin nga ana e togave të zeza të mënyrës sesi do të veprohet për mbledhjen e Konferencës Gjyqësore edhe pse prej shumë kohësh në KLD mungojnë katër anëtarë. Ndërkohë burime nga Unioni i Gjyqtarëve Shqiptarë, shoqatë e cila organizoi takimin e një jave më parë, pohuan se duke u njohur me faktin se kryegjyqtarja Beçaj nuk ka bërë asnjë veprim, atëherë kjo shoqatë do të organizojë një mbledhje për të vendosur sesi do të veprojë në lidhje me këtë çështje. Të paktën mbledhja e një jave më parë që u zhvillua në sallën e Akademisë së Arteve dhe në Gjykatën e Lartë, u organizua nga Unioni. Gjyqtari kryeqytetas Gerdi Hoxha, i cili në mbledhjen e para një jave pohoi se Konferenca Gjyqësore duhet të mblidhej për të zgjedhur anëtarët e KLD-së, tha dje se Unioni do të organizonte një mbledhje, brenda këtij muaji ku do të diskutonte situatën aktuale të krijuar në gjyqësor. Në mbledhjen e para një jave u propozua nga ish-kryetari i Gjykatës së Tiranës Albert Meçe, se më datë 21 ose 22 dhjetor Beçaj duhet të mblidhte të gjithë gjyqtarët shqiptarë për të diskutuar draftin. Dje, burime zyrtare nga Gjykata e Lartë pohuan se këto data të propozuara nga Meçe jo domosdoshmërish duhet të pranoheshin nga Beçaj. Sipas Gjykatës së Lartë Beçaj do caktojë në një moment më të vonë datën për diskutimin e statutit, por jo para se të ngrejë grupin e punës për përgatitjen e tij. Të paktën prej një viti, legjislacionit shqiptar i mungon ligji për Konferencën Gjyqësore, të cilin e shfuqizoi Gjykata Kushtetuese.