“Grekët në jug, 3/5 e popullsisë”
Aristir Lumezi
Kreu i Bashkisë së Himarës paraqiti dje teza të reja të pranisë së grekëve në Shqipëri, duke nxitur sërish debatet. Në tryezën “Minoriteti pjesëmarrja dhe integrimi” kreu i organizatës OMONIA, Vasil Bollano, i lakuar shpesh herë për komplikimin e tezës shqiptare të Vorioepirit, del me një tjetër argument, sipas të cilit grekët kanë shtrirje të konsiderueshme jo vetëm në jug të vendit, por dhe në pjesë të tjera të tij. Provokimi i Bollanos shkon më tej, kur aludon se grekët në jug të vendit përbënin 3/5 e popullsisë, duke futur si minoritet grek edhe vllehët që në fakt kanë gjuhën dhe zakonet e tyre. “Prezenca e grekëve në territorin që përbën shtetin shqiptar të ditëve të sotme mund të datohet që prej shekullit të 7-të para Krishtit. Që prej kësaj kohe ka pasur një prani të vazhdueshme dhe dinamike, por jo vetëm të përqendruar në jug por ata përbënin tërësisht 3/5 e popullsisë, pa përfshirë grekët që flisnin gjuhën vllahe”, theksoi Bollano. Shifra e dhënë dje nga kreu i Bashkisë së Himarës duhet cilësuar një gafë në formën e provokimit, nisur nga fakti se nuk ka pasur regjistrim të saktë të minoritetit grek në Shqipëri. Para viteve ‘90, një regjistrim i bërë mbi përqindjen e minoritetit në Shqipëri, e ka nxjerrë këtë shifër jo më shumë se 60 mijë, ndërsa pas nisjes së lëvizjeve migratore kjo shifër mendohet të jetë përgjysmuar. Duke tentuar të japë fakte historike, kreu i Omonias, avancoi argumentin e tij duke pretenduar se popullsia greke që u largua nga qytetet kryesore greke të lashtësisë, themeluan disa nga qytetet shqiptare si Durrësi. “Pak histori përsa i përket minoritetit grek, prezenca greke që përbën territorin shqiptar të ditëve të sotme mund të datojë që në shekullin e shtatë para Krishtit, kur të ardhurit nga Korinthi dhe nga Korfuzi krijuan Epidamusin dhe më vonë të quajturin Dyrrahun, sot Durrësi”, u shpreh Bollano. Deklaratat e Bollanos vijnë në një kohë, kur kreu i qeverisë Sali Berisha ka premtuar regjistrimin e popullsisë mbi bazën e prejardhjes etnike, gjuhës dhe besimit fetar.
Dule
Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i vetmi përfaqësues i opozitës në Parlament, kërkoi dje nga qeveria që të ndërmarrë masa konkrete për integrimin e pakicave etnike në Shqipëri. “Dëshiroj nga institucionet dhe mediat që t’i kushtohet vëmendje kulturës dhe zakoneve të pakicave etnike, t’u jepet atyre mundësia për t’u përfaqësuar në institucione. T’i japim jetë mentalitetit evropian”, kërkoi dje Dule në seancën parlamentare. Sipas tij, projekti i qeverisë për regjistrimin e popullsisë duhet të përfshijë edhe komunitetet e pakicave dhe jo t’i lerë ato mënjanë. “Regjistrimi i popullsisë nuk përfshin pakicat etnike, edhe pse është premtuar nga qeveria. Dëshiroj të theksoj në këtë kuadër se është momenti që të nisin parapërgatitjet për këtë çështje, për komunitetet e interesuara”, ka nënvizuar Dule. Ai ka shtuar më tej se komunitetet e pakicave në Shqipëri kanë marrëdhënie të mira mes tyre, por ka edhe grupe të cilat këto marrëdhënie duan t’i cenojnë. “Ne kemi në nivel lokal marrëdhënie të shkëlqyera bashkëjetese me pakicat etnike. Por ka grupe të caktuara që këto marrëdhënie duan t’i helmojnë. Përpiqen që të krijojnë mentalitete që nuk janë në përputhje me mentalitetet për të drejtat e njeriut”, ka shtuar Dule.
Pëllumb Xhufi: Grekët kanë qenë kolonë
Historiani i njohur Pëllumb Xhufi hedh poshtë pretendimet e kryetarit të Omoniasm në lidhje me faktet historike. Sipas historianit, Bollano nuk është i besueshëm për detyrën si bashkiak dhe jo për faktet historike. Xhufi shprehet se nuk është e vërtetë se qyteti i Durrësit nuk është themeluar nga kolonët grekë, por ka qenë një qytet që funksiononte. Sipas tij, grekët e shpërngulur ishin kolonë që i dhanë vlerë të gjitha qyteteve ku ata u vendosën. Por Xhufi shprehet se fakti që deri në gjirin e Prevezës flitej shqip, tezë e pranuar dhe nga historianët grekë, tregon se jo vetëm në qytetet si Durrësi dhe Apollonia, por dhe në jug të Shqipërisë flitej shqip.
Zoti Xhufi, kryetari i Bashkisë së Himarës dhe njëkohësisht dhe kreu i shoqatës Omonia, Vasil Bollano, u shpreh sot se ishin grekët që ndërtuan qytetet shqiptare, jo vetëm në jug por dhe në qendër të Shqipërisë, si rasti i Durrësit të sotëm. Nisur nga faktet historike, si e vlerësoni këtë deklaratë?
Zoti Bollano është një zë i padëgjueshëm jo vetëm për problemet që lidhen me të dhe funksionet që ai mbulon, por dhe për historinë. Megjithatë deklarata e sotme na detyron t’i përgjigjemi mbi baza shkencore dhe vetëm të tilla. Historia na mëson se ashtu si në të gjitha vendet, që nga Deti i Zi e deri në Francë dhe Angli, këto vende janë prekur nga një fenomen i shkëlqyer në antikitet, siç ishte kolonizimi, pra i mbulimit me koloni të zonave bregdetare të këtyre vendeve. Koloni greke ka pasur edhe në bregdetin shqiptar, në Durrës dhe në Apolloni, por dhe më thellë në Amfiloqi, siç ka pasur dhe në bregdetin e Italisë së Jugut, që nga Napoli deri në Taranto të Siçilisë apo dhe të Francës, siç është Marseja, ku ka pasur koloni greke, ashtu siç pretendohet se ka pasur shenja greke dhe në Londër. Ky është një fenomen i përgjithshëm, i cili lidhet dhe me vendosjen e grupeve të popullsive helene nga atdheu i tyre nga Athina apo Korinthi dhe të vendosura në qendra që tashmë ekzistonin. Edidamusi nuk u themelua nga kolonët grekë në shekullin e shtatë, Epidamusi, ashtu si dhe Apollonia ekzistonte dhe nuk u ndërtua nga kolonët grekë. Kolonët grekë që u larguan apo u dëbuan nga vendi i tyre për shkak të luftërave, dhe që u vendosën në Epidamus apo Apolloni ishin një vlerë e shtuar për këto qytete, sepse sollën me vete dhe kulturën e zhvilluar greke dhe ndikuan dhe për zhvillimin e mëtejshëm të trevave ku shkuan. Por dua të them se baballarët e historisë dhe të asaj greke, që nga Herodoti e kanë theksuar se qoftë në gjirin e Prevezës, në Apolloni apo dhe në Epidamus jetonte popullsi ilire. Në jug të Shqipërisë, Herodoti përmend fiset ilire të kaonëve, molosëve dhe të tesprotët, të cilët ata jo rastësisht i quajnë të huaj “barbarë”, në kuptim klasik, pra jo grekë. Kështu që tentativat e Bollanos duke u nisur dhe nga kjo dukuri panevropiane për të identifikuar të gjitha ato treva ku u vendosën kolonitë greke me popullsinë greke, është tërësisht e dështuar, shkencërisht e hedhur poshtë prej shekujsh dhe këtë gjë nuk e thonë as historianët dhe as tekstet greke, dhe na i thotë zoti Bollano, i cili mbase ka marrë përsipër t’u tregojë shqiptarëve dhe ballkanikëve se si duhet të shkojnë në Evropë dhe mesa duket dhe se si duhet të mësojnë historinë e tij.
Një tjetër pretendim i zotit Bollano është dhe popullimi i jugut të Shqipërisë në 3/5 e popullsisë së saj nga grekë që flisnin vllahçe. Sa qëndron një pretendim i tillë?
Absolutisht, jo vetëm në kohë antike, por as në mesjetë të gjitha dokumentet, dhe këtu ka dokumente latine, bizantine dhe osmane të botuar që tregojnë se popullsia e trevave që shkojnë deri në gjirin e Prevezës, madje dhe përtej tij, ka qenë një popullsi shqiptare në shumicë dërrmuese, e përzier në ekstremitetet e saj dhe me popullsi greke apo arumune dhe ky raport ekziston edhe sot e kësaj dite. Edhe sot nëse shkojmë në jug të kufirit tonë shtetëror, të shkohet në Çamëri e cila u zbraz nga popullsia çame e besimit mysliman, sot e kësaj dite gjuha shqipe është gjuha e folur si dikur.
Si e konsideroni faktin që Vasil Bollano, një i zgjedhur vendor apo dhe kryetar i shoqatës “Omonia”, bën historianin apo hedh teza të tilla historike, duke turbulluar situatën politike?
Mendoj se Bollano të gjitha këto sfida që i bën në mënyrë të vazhdueshme shtetit shqiptar, e bën sepse ndjehet i mbrojtur në radhë të parë nga miku i tij, zoti Berisha si dhe nga institucione të tjera që drejtohen nga persona të papërgjegjshëm nga ata që nuk e kanë për gjë, që pasi e zhbënë një nga fitoret më të mëdha të lëvizjes kombëtare shqiptare, që është autoqefalia e Fan Nolit, përpiqen sot që të lëshojnë dhe kufijtë e Shqipërisë të Ismail Qemalit. Kemi të bëjmë me njerëz të kapur, të shitur do të thosha, por dhe me njerëz të paaftë, të pazotë që mbushin sot administratën shqiptare.
Si e konsideroni propozimin e PBDNJ-së, që regjistrimi i popullsisë të bëhet mbi bazën e përkatësisë etnike?
Mua nuk më shqetëson zëdhënia e këtyre përfaqësuesve të minoritetit grek në Shqipëri sepse të tillë nuk janë. Në fakt këta janë më së shumti zëdhënës të qarqeve shoviniste greke, dhe nuk më shqetësojnë këto pretendime që janë bërë që para 200 vjetëve, por më shqetëson më shumë qëndrimi i autoriteteve shqiptare, qëndrimi i kryeministrit shqiptar që publikisht para disa ditësh i premtoi edhe me gisht zotit Dule në parlament, që do ta kryente regjistrimin e popullsisë mbi bazë kombësie dhe feje dhe pse rekomandimet e ndërkombëtarëve nuk janë të tilla.