Kapet shqiptari me pistoletë te shtëpia e Bler
LONDER - Policia Angleze ka vënë dje në pranga një shqiptar 56 vjeçar pranë shtëpisë së ish-kryeministrit Toni Bler. Shqiptari Kujtim Nurka banues në zonën Uemblei në veriperëndim të Londrës u kap të hënën para banesës së ish-kryeministrit në Connaught Street, në qendër të Londrës me një pistoletë me silenciator të mbushur. Policia britanike njoftoi dje lajmin për mediat, në të njëjtën kohë kur Nurka u paraqit para një gjykate, e cila vendosi se ai do të qëndrojë në burg deri sa të dalë në gjyq më 12 shkurt në gjykatën Suthuark Kroun Court. Në fakt policia e arrestoi Nurkën fillimisht për mungesë të dokumenteve të qarkullimit rrugor. Pas 25 minutash një person i afrohet policisë dhe i dorëzon një pistoletë të mbushur. Personi deklaroi se e gjeti armën të hedhur në anë të rrugës. Policia menjëherë lidhi dy ngjarjet dhe zbuloi se pistoleta i përkiste personit që ishte arrestuar për shkelje te rregullave te qarkullimit. Në fakt asnjë kërcenim nuk ka pasur për jetën e Toni Blerit nga ky incident. Policia ka dhënë alarmin dhe ka vënë në dijeni menjëherë trupin diplomatik që përgjigjet për sigurinë e ish-kryeministrit. fa.ma.