E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia padi për plehrat e protestës

 

TIRANE - Policia e Tiranës ka përgatitur një kallëzim penal për 3 punonjës të Pastrim Gjelbërimit të Bashkisë së kryeqytetit. Ata u përfshinë në incidentin e disa ditëve më parë në Kombinat, ku u ndaluan nga policia duke mbledhur plehra për mitingun e PS-së. Burime nga policia thanë se bashkë me 20 personat që u shoqëruan nga policia, ishin edhe shefi i Pastrim Gjelbërimit, V.P. dhe dy vartës të tij, të cilët kundërshtuan forcat e rendit. Për këtë arsye Komisariati Nr. 6 i Kombinatit, në kryeqytet, ka përgatitur një kallëzim penal dhe pritet që ta depozitojë në prokurori, me akuzën e "kundërshtimit të punonjësve të policisë së rendit publik" dhe "fyerje për shkak të detyrës". Sipas të njëjtave burime mësohet se kallëzimi do të bëhet në ngarkim të V.P., i proceduar edhe dy herë në qershor të këtij viti, për "pengimit të subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese", si dhe dy vartësve të tij, në drejtorinë e Pastrim Gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës. Mësohet se kallëzimi ende nuk është depozituar në prokurori, për shkak se mund të shtohen edhe emra të tjerë, që do të dalin gjatë hetimeve dhe shqyrtimit të pamjeve filmike, në momentin e përplasjes së të shtunës në Kombinat, të policisë së rendit me punonjësit e bashkisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›