E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Pavarësia e institucioneve, kritike

 

ADI SHKEMBI

SHBA bëjnë sërish thirrje për pavarësinë e institucioneve kushtetuese. Ambasadori Xhon Uidhërs tha dje në ditën ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, se pavarësia e institucioneve është kritike për zhvillimin demokratik të vendit. Në një tryezë me rastin e 10-vjetorit të krijimit të Avokatit të Popullit, kreu i diplomacisë amerikane në Tiranë tha se “nuk po flas këtu vetëm për Avokatin e Popullit, por për pavarësinë e të gjithë institucioneve, qofshin ato qeveritare, të lidhura me median apo OJF-të. Pavarësia e institucioneve të tilla, si ajo e Avokatit të Popullit është kritike për zhvillimin demokratik dhe thelbësore për një shoqëri të shëndetshme. Falë pavarësisë së tij, Avokati i Popullit është në gjendje që të hetojë në mënyrë të besueshme pretendimet dhe të raportojë mbi vërtetësinë e tyre”. Sipas tij “falë pavarësisë që gëzon, mund të marrë përsipër çështjet e të dobtëve, mund të marrë përsipër çështjet e atyre në nevojë, mund të marrë përsipër çështjet e atyre që kërkojnë drejtësi dhe të bëhet avokati i tyre. Kjo pavarësi është thelbësore, pasi pa të, Avokati i Popullit në fakt nuk do të ishte i tillë”. Duke iu referuar pavarësisë së institucioneve, ambasadori amerikan theksoi se e njëjta gjë vlen edhe për gjyqësorin. Xhon Uidhërs tha në tryezën ku ishte i pranishëm dhe Presidenti Bamir Topi se politika nuk mund të ndërhyjë në pavarësinë e gjyqësorit. “Në të njëjtën mënyrë, edhe institucionet e tjera nuk janë në gjendje të funksionojnë ashtu si duhet pa pavarësinë e tyre. Pavarësia e gjyqësorit është një kolonë themelore e shoqërisë demokratike dhe është, në fakt, guri i themelit mbi të cilin ndërtohen shoqëritë demokratike. Një gjyqësor i pavarur i trajton të gjithë qytetarët të barabartë përpara ligjit dhe kërkon që të gjithë qytetarët t’i binden ligjit. Asnjë institucion politik nuk mund të marrë përsipër apo të ndërhyjë në pavarësinë e gjyqësorit dhe funksionet të cilat ai është modeluar që të kryejë. Askush, absolutisht askush, nuk është përmbi ligjin”, u shpreh më tej ambasadori amerikan. Uidhërs iu rikthye, ashtu si edhe një ditë më parë pavarësisë së medias. Sipas tij, media luan rolin e rojtarit të shoqërisë në një vend demokratik, ndërkohë që i bëri apel këtij pushteti të katërt që të mos bëhet vegël e politikës. “Pavarësia e medias është një tjetër zonë kyçe. Në një shoqëri demokratike, media luan rolin e rojtarit së shoqërisë dhe mbron interesin e publikut. Pavarësia e medias siguron gjithashtu që zyrtarë në sektorin publik dhe biznesmenë në sektorin privat t’i binden ligjit dhe të mos abuzojnë me pozitat e tyre. Kur media shndërrohet thjesht në një tjetër vegël politike, pa u shqetësuar për faktet apo për të vërtetën, ajo humbet pavarësinë e saj dhe interesi i publikut nuk mbrohet”, tha ambasadori amerikan. “Pavarësia e institucioneve është një çështje për të cilën fola gjatë sot, pasi rëndësia e saj në shoqëri nuk mund të nënvlerësohet. Dhe është për këtë arsye që zyra të tilla si ajo e Avokatit të Popullit, të cilat veprojnë në mënyrë të pavarur, janë në gjendje që të ndikojnë në jetët e njerëzve dhe të ndihmojnë në përmirësimin e shoqërisë si një e tërë”, theksoi më tej ambasadori amerikan. Komuniteti ndërkombëtar i akredituar në Shqipëri ka bërë disa herë thirrje për të ruajtur pavarësinë e institucioneve, ndërsa klasës politike i ka bërë apel për të mos ndërhyrë në punët e gjyqësorit. Ambasadori amerikan përsëriti të njëjtin mesazh edhe pak ditë më parë. “Kam thënë në raste të ndryshme, ashtu si kolegët e mi Ambasadorë, që korrupsioni mbetet një nga problemet më serioze me të cilin Shqipëria ndeshet në çdo nivel të shoqërisë së saj. Një tjetër element, një tjetër çështje të cilës ju mund të doni t’i kushtoni vëmendje, është pavarësia e institucioneve demokratike, veçanërisht e gjyqësorit. Ndërhyrja politike, si ajo në gjykimin e çështjes së Gërdecit, është një lloj ndërhyrjeje që ne shpresojmë të mos bëhet e zakonshme në Shqipëri”, tha Uidhërs.

“Kemi ende punë përpara”

Presidenti Bamir Topi, i pranishëm në tryezën e Avokatit të Popullit, tha se shoqëria shqiptare ka ende punë për të bërë në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut. “Ka ende shumë për të përmirësuar në drejtim të respektimit të drejtave të Njeriut, pavarësisë së institucioneve, dhe fenomeneve negative të korrupsionit ekonomik dhe politik. Unë mendoj se sot është shumë e rëndësishme të theksojmë se demokracia, të drejtat e njeriut dhe konstitucionalizmi janë konceptet dinamike, vazhdimisht në zhvillim dhe në progres. Si të tilla edhe përpjekjet për të ecur në një hap me kohën, për të plotësuar parimet, standardet dhe vlerat e botës ku dëshirohemi të integrohemi, natyrshëm duhet të jetë një sfidë e përditshme për të gjithë,” - deklaroi Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›