E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Pyetjet shtesë, për Kushtetuesen dhe komisionet hetimore



Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu tha se Komisioni Evropian ka sjellë rreth 170 pyetje, të cilat së bashku me kërkesat dhe informacionin shtesë, shkojnë diku te 700. Sipas saj, pyetjet kanë të bëjnë ndër të tjera edhe me objektin e hetimit të komisioneve hetimore dhe emërimin e gjyqtarëve në gjykata. "Ka pyetje, të cilën e kemi numëruar si të re, që i përket vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për objektin e hetimit të komisioneve hetimore parlamentare. Sigurisht që debatet politike gjatë këtyre muajve kanë bërë që Komisioni të kërkojë edhe këtë lloj informacioni. Një tjetër pyetje e re, ka të bëjë me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese i cili është një vendim, apo le të themi emërim i bërë nga Presidenti vetëm së fundmi. Sikurse ka kërkesa, që ne i cilësojmë si sqaruese, për të dërguar kodin penal shqiptar në gjuhën angleze", tha dje Bregu. Sipas saj është pozitiv fakti që pyetjet shtesë kanë ardhur brenda vetëm një muaji. "Nëse e dini si ka funksionuar ky proces në vende të tjera, për shembull Mali i Zi, i ka marrë pyetjet shtesë dy muaj e gjysmë pas dorëzimit të materialit, ne i morëm vetëm një muaj pas dorëzimit të pyetësorit. Kjo jo vetëm që nuk vonon, por për ne ishte surprizë që përgjigjet e pyetësorit të lexoheshin në një kohë të tillë rekord, çka do të thotë se materiali nuk ka pasur problematika për t'u perceptuar nga KE", tha Ministrja e Integrimit. "Përgjigjet do t'i japim brenda datës 10 qershor. Pra koha në dispozicion është fare e shkurtër, është më pak sesa një muaj. Në dërgimin e këtyre përgjigjeve, sigurisht që do të ketë dhe gjurmë të misioneve që janë të shpërndara tashmë në terren, për të vizituar institucionet", theksoi Bregu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›