E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boschard: Vizat,vetëm kur të përmbushen standardet

 

Pak ditë pas vendimit të Komisionit Evropian, për t’i hapur dritën jeshile Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi për liberalizimin e vizave, ambasadori i Gjermanisë, Bernard Boschard, theksoi se Shqipëria do të përfitojë vetëm pas përmbushjes së standardeve. Duke folur në një aktivitet të lëvizjes “Mjaft”, kreu i diplomacisë gjermane në vendin tonë theksoi se “sinjali është i qartë, ne nuk duhet të bëjmë premtime boshe, e gjithë çështja është përmbushja e standardeve. Këto standarde janë përmbushur më herët nga fqinjët tonë lindorë, siç është Maqedonia”, theksoi Boschard. Sipas tij “ne jemi optimistë se do t’i përmbushni këto standarde në fund të vitit, ashtu siç bënë fqinjët që përfituan nga vendimi për liberalizimin e vizave. Ne inkurajojmë, ashtu si edhe fqinjët e tjerë, që të bëjmë përpjekje më të mëdha për t’u arritur këto standarde. Ky optimizëm vjen nga fakti se ky proces ka filluar tashmë. Nuk është më diskutim por është një çështje e prekshme. Është si të shohësh një dritë në fund të tunelit”. Komisioneri për Zgjerimin, Oli Rehn, bëri të ditur dy dytë më parë gjatë konferencës për shtyp, se Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi do të jenë të parat që përfitojnë liberalizimin e vizave. “Besoj se këto dy vende, Shqipëria dhe Bosnja, do të ruajnë hovin e fituar muajt e fundit dhe rrjedhimisht do të mund të jenë në gjendje të përmbushin kushtet për udhëtimin pa viza përgjatë vitit 2010, me preferencë mesin e vitit 2010. Ne nuk mund të ndëshkojmë qytetarët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, për shkak të lëvizjes së ngadaltë në vende të tjera”, theksoi Rehn.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›