E Diel, 1 Nëntor 2026

Sokoll Olldashi i bën kallëzim kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako

10/12/2009  Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, ka bërë me dije se Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit ka depozituar në prokurorinë e rrethit të Durrësit një kallëzim penal në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së këtij qyteti Vangjush Dako. Ministri Olldashi tha se kallëzimi ka të bëjë me faktin se është lejuar që në një pallat të ndërtohen 9 kate më shumë se ç’është lejuar në lejen e ndërtimit. “Pallati sot ka mbërritur në 21 kate, ndërkohë që leja fillestare e dhënë në vitin 2001 nga ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, zoti Miri Hoti, ka qenë fillimisht për 12 kate. Më pas, me një shtesë mbi lejen në vitin 2003, janë akorduar dhe 2 kate të tjera, pra nga 12 kate ka vajtur 14 kate. Ndërkohë ndërtuesi ka shtuar mbi 12 kate, tashmë të shitura, dhe ku banojnë qytetarë me familje, ka shtuar 7 kate”, - tha Olldashi. Sipas tij, për këtë pallat Bashkia e Durrësit ka marrë një vendim për prishje dhe e keqja është se ky vendim nuk po ekzekutohet. Në analizën e ekspertëve të Inspektoratit, sipas Olldashit, ky pallat është me një rrezikshmëri shumë të lartë për jetën e banorëve që janë brenda tij. “Do t’i kërkoja kryetarit të Bashkisë së Durrësit që të ndërhyjë menjëherë, duke qenë autoriteti i vetëm kompetent për të prishur këtë shtesë mbi këtë pallat, për realizimin e prishjes dhe për më tepër të ndërhyjë urgjentisht për evakuimin e banorëve, që janë ditë e natë në rrezik”, - deklaroi ministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›