E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në terrenin për kopshte e çerdhe ngrihen pallate”

10/12/2009  Deputeti Mima deklaratë për ndërtimet e të afërmve të Leskajt

Deklarata e kryeministrit Sali Berisha në lidhje me atë që ai quajti “mafie e ndërtimit”, duke bërë publikë njëkohësisht të disa emra biznesmenësh dhe politikanësh, ka sjellë denoncimet e njëpasnjëshme të deputetëve të PD-së në zonat e tyre. Deputeti demokrat Florion Mima në një konferencë për shtyp ka thënë se bashkë me disa kolegë të tjerë deputetë të grupit parlamentar të PD-së kanë denoncuar një rast flagrant të shkeljes së një vendimi të KRT-së së Tiranës nga vetë Bashkia e Tiranës. Sipas tij, këtë herë bëhet fjalë për të afërm të kryetares së grupit parlamentar të PS-së Valentina Leskaj. “Bëhet fjalë pranë zonës së Ali Demit për kuadratin S-15, i cili në mars të vitit 2005 figuronte i destinuar për ndërtimin e objekteve parashkollore, kopshte dhe çerdhe. Në atë bllok ndodhen dy blloqe të mëdha banimi të dhëna për firmën “Matriks”, sh.p.k, në pronësi të shtetasit Arian Leskaj”, - ka deklaruar dje ligjvënësi demokrat. Emri i përmendur nga deputeti Mima ishte pjesë e listës së publikuar nga Berisha mbrëmjen e 2 nëntorit, sipas të cilit “Arian Leskaj ngjitet më lartë në kupolë me 61 840 metra katrorë leje ndërtimi”. Në deklaratën e djeshme Mima shtoi se shkelja e dytë që është denoncuar ka të bëjë me spostimin e lumit të Lanës dhe afrimin e tij në një distancë prej më shumë se 300 metra me arsyen e vetme se rruga që shoqëron Lanën të jetë rruge kryesore, njësoj si bulevardi “Zhanë d’Ark” dhe të afrohet në derë të këtij objekti. Mima tha se dje ishte njohur me pronarët e familjen Maçi. “Jam këtu për të siguruar familjen Maçi, por dhe çdo banor tjetër që ka titull pronësie në atë bllok, se ne jemi të absolutisht bindur se ata duhet ta gëzojnë dhe ta zhvillojnë tokën e tyre”, - tha Mima. Ai theksoi se deputetët e PD-së janë të bindur se të gjithë ata që kanë cenuar ligjet në sekretariatin teknik të Bashkisë së Tiranës, por dhe në ekzekutivin e Bashkisë së Tiranës, do të përgjigjen për këto shkelje flagrante të ligjit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›