Bosh: “Kodi elektoral përfundon javën e parë të nëntorit”
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, ka bërë të ditur dje se Kodi Elektoral do të miratohet javën e parë të muajit nëntor. Ai ka bërë të ditur se ky afat i është premtuar atij nga dy bashkëkryetarët e Komisionit të posaçëm Parlamentar për Kodin Zgjedhor. Bosh thekson se ka zhvilluar një takim me Rusmalin dhe Xhafën në të cilin të dy politikanët shqiptarë kanë bërë të ditur se afati i fundit i miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor është java e parë e muajit nëntor. “Jam takuar dje me drejtuesit e reformës zgjedhore dhe ata më dhanë garanci se Kodi i ri do të jetë për votim në Parlament javën e parë të nëntorit. Jam optimist se do të ndodhë përderisa ata më garantuan, jam i predispozuar t’u besoj”, - është shprehur Bosh. Kjo deklaratë e kryetarit të Prezencës së OSBE-së vjen vetëm një ditë pas kërkesës së Partisë Socialiste për të përshpejtuar punën për miratimin e ndryshimeve në Kodin e ri Zgjedhor. Afati i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore është pikërisht fundi i muajit tetor. Ndërkohë që ky komision ka ende për miratuar dispozita në Kodin e ri Zgjedhor.
25 Tetor 2008